Mbappe kërcënon Messin: Nuk ka mbaruar ende!

  • 20 May 2019 - 15:52
Mbappe kërcënon Messin: Nuk ka mbaruar ende!

Kylian Mbappe ka qenë “flakë” me deklaratat e tij në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nga Unioni Kombëtar i Futbollistëve Profesionit, ku u shpall për të tretën herë radhazi lojtari i ri më i mirë.

Sulmuesi i PSG është ende në garë për të fituar “Këpucën e Artë”, si lojtari me më shumë gola në 5 ligat më të forta të Evropës.

Lionel Messi udhëheq me 36 gola, ndërsa Mbappe ndjek me 32 gola, por me një ndeshje më pak, atë të kësaj fundjave në fushën e Reims. Kundër Dijon francezi shënoi dy gola, por argjentinasi iu kundërpërgjigj me dopjetën ndaj Eibar.

“I kam thënë vetes se edhe nëse humbas , humbas ndaj Messit, një nga lojtarët më të mirë në histori. Këtë kam kohë ta mendoj deri në ndeshjen time të fundit, gjithashtu është krenari, por kjo nuk ka përfunduar ende”, tha 20-vjeçari.

Për të fituar i vetëm “Këpucën e Artë”, Mbappe duhet të bëjë “manita” i vetëm ndaj Reims, ose për ta ndarë me Messin duhet të shënojë 4 gola.

Përndryshe sulmuesi i Barcelonës do e fitojë këtë trofe për herë të gjashtë në karrierën e tij, pasi e ka fituar më parë në sezonet: 09/10, 11/12, 12/13, 16/17 dhe 17/18. Ndërkohë në vend të tretë renditet Fabio Quagliarela i Sampdoria me 26 gola të shënuar vetëm në Serie A.

(Kosova Sot Online)