Serbia nuk ia lejon Zekajn Kosovës, ndërhyn FIFA

  • 21 May 2019 - 11:22
Serbia nuk ia lejon Zekajn Kosovës, ndërhyn FIFA

Pas Florent Hadërgjonajt, ekipit kombëtar të Kosovës mund t’i bashkohet së shpejti edhe Arton Zekaj, pasi që shtëpia e futbollist botëror, FIFA i ka shkruar Serbisë për t’ia lejuar futbollistit ta ndërrojë Kombëtaren.

19-vjeçari Arton Zekaj ka prejardhje nga Kosova, mirëpo pasi që kishte lindur në Beograd, ai fillimisht e kishte përfaqësuar Serbinë me grupmoshat. Zekaj i bëri 11 paraqitje për ekipin U-17 të Serbisë, mirëpo nuk luajti asnjëherë për ekipin e parë.

Serbia nuk e kishte lejuar deri më tani Zekajn ta ndërrojë ekipin kombëtar, mirëpo menaxheri i Kombëtares U-21 të Kosovës, Zgjim Sojeva, ka bërë të ditur se Serbia ka kohë vetëm deri në fund të javës për ta dhënë fletëlëshimin.

 “FIFA i ka kërkuar Serbisë t’i jap leje Zekajt që të luaj për Kosovën. Nëse deri në fund të javës nuk kthejnë përgjigje, Zekaj automatikisht fiton të drejtën që të luaj për Kosovën” deklaroi Sojeva për Indeksonline.

Sojeva luan në pozitën e mesfushorit dhe preferon të luajë si mesfushor më defansiv. Ai luan për klubin francez, Lille, të cilit iu bashkua më 4 korrik të vitit 2018. Deri më tani ai e ka bërë vetëm një paraqitje, ndërsa që nga 1 qershori i vitit 2018 s’ka qenë as i përfshirë në skuadrat e ndeshjeve, për shkak të një lëndimi.

Përkundër që ky lëndim e ka mbajtur atë jashtë fushës së blertë deri më tani, ai pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen e qershorit të ekipit kombëtar U-21 të Kosovës, kundër Andorrës dhe Turqisë.

(Kosova Sot Online)