De Gea e refuzon ofertën e Man Unitedit për kontratë të re

  • 22 May 2019 - 10:36
De Gea e refuzon ofertën e Man Unitedit për kontratë të re

Portieri spanjoll David de Gea e ka refuzuar ofertën e fundit të Manchester Unitedit për ta rinovuar kontratën, sipas The Sun.

David de Gea e ka bërë të qartë se oferta aktuale e Manchester Unitedit nuk është e mjaftueshme për ta mbajtur atë në Old Trafford përtej sezonit të ardhshëm. Tani drejtuesit e klubit janë të gatshëm edhe ta shesin atë verës

Manchester Unitedi nuk po arrin t’ia plotësojë kërkesat De Geas për ta bindur ta rinovojë kontratën, pasi që portieri spanjoll dëshiron pagë prej 350 mijë funtesh në javë, pagë të cilën Paris Saint-Germaini ia ka ofruar.

PSG-ja është e gatshme të bëjë ofertë prej 60 milionë funtesh gjatë këtij afati kalimtar të verës. Nëse kjo ofertë nuk pranohet nga “Djajtë e kuq”, atëherë francezët synojnë ta marrin De Gean pa shpenzuar asnjë cent verën e vitit të ardhshëm.

Ky qëndrim i De Geas i dëmton shumë shpresat e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer për ta ndërtuar një skuadër që mund të synojë tituj sezonin e ardhshëm.

Ylli spanjoll është zgjedhur lojtari më i mirë i vitit i Manchester Unitedit për katër nga gjashtë sezonet e fundit. Megjithatë, afër fundit të sezonit, ai ra prej forme dhe mori shumë kritika për këtë gjë.

Dhjetorin e vitit të kaluar, The Sun kishte raportuar se De Gea u ka thënë bashkëlojtarëve që preferon të qëndrojë në Manchester United, mirëpo klubi anglez nuk po arrin t’ia plotësojë kërkesat.

Kontrata e De Geas përfundonte këtë verë, megjithatë Manchester Unitedi e aktivizoi klauzolën për t’ia zgjatur kontratën edhe për një vit tjetër. Man Unitedi ka kohë edhe disa muaj për të arritur kontratë të re me spanjollin ose mund ta humbë atë si transferim të lirë gjatë verës 2020.

(Kosova Sot Online)