Mesazhi i trajnerit të PSG-së për Mbappen, që sugjeroi se mund të largohet këtë verë

  • 24 May 2019 - 10:01
Mesazhi i trajnerit të PSG-së për Mbappen, që sugjeroi se mund të largohet këtë verë

Sytë e të gjithëve në botën e futbollit janë kthyer te Paris Saint-Germainit pas deklaratës së Kylian Mbappes në ceremoninë e ndarjes se çmimeve të Ligue 1 për këtë sezon, ku kishte thënë se mund ta vazhdojë karrierën te ndonjë klub tjetër me projekt të ri.

Paris Saint-Germaini publikoi deklaratë zyrtare, ku bëri të ditur se Kylian Mbappe nuk është për shitje, mirëpo mediat francezi raportuan se futbollisti beson se po të mos ishte për trajnerin Thomas Tuchel, ai do të mundë ta kishte fituar Këpucën e Artë të Evropës.

Trajneri gjerman iu përgjigj këtyre pretendimeve në konferencën e tij për shtyp të enjten, duke ia dërguar një mesazh sulmuesit të ri.

“Kam ndjenja të përziera”, tha fillimisht Tuchel, kur u pyet për situatën me Mbappen.

“Ai ka qëllime të mrekullueshme në karrierë dhe ka shumë vetëbesim. Kjo është arsyeja pse ai vendosi ta dërgojë këtë mesazh. Ai i ka idetë e tij dhe është shumë i mençur. Ai e di çfarë dhe kur duhet të bëjë diçka”.

“Në anën tjetër, dera është gjithmonë e hapur për të marrë më shumë përgjegjësi, si të gjithë të tjerët në skuadrën e PSG-së. Nuk është e nevojshme ta thuash këtë në publik. Duhet ta bësh çdo ditë: të jesh në kohë, të flesh, të hash dhe të luash si profesionist”.

Këto deklarata, Tuchel i ndoqi me plot lëvdata për yllin francez.

“Ai është një djalosh i veçantë: ai dëshiron të shënojë, të shënojë dhe të shënojë, si dhe t’i fitojë të gjitha trofetë në dispozicion”, shtoi trajneri i PSG-së.

“Deklarata e Mbappes nuk ishte asgjë personale, nuk jam i zemëruar. Nuk është aspak problem të marrësh përgjegjësi. Nuk e vendosa dorën time në kokë pasi i dëgjova deklaratat e tij. Flas me të çdo ditë. Ai e di çfarë do dhe çfarë mendoj për të; gjërat duhet të përmirësohen”.

Deklaratat e Mbappes dhe Tuchelit kanë ardhur në një kohë të papërshtatshme për PSG-në. Presidenti i klubit, Nasser Al-Khelaifi, është nën hetim për korrupsion, ndërsa Real Madridi dëshiron t’ia rrëmbejë yjet e skuadrës, Mbappen dhe Neymarin. 

(Kosova Sot Online)