Liverpooli premton se do t’i kërkojë llogari UEFA-s

  • 24 May 2019 - 10:44
Liverpooli premton se do t’i kërkojë llogari UEFA-s

Drejtori ekzekutiv i Liverpoolit, Peter Moore, ka thënë se ai do të takohet me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, për shkak të pakënaqësive me ndarjen e biletave për finalen e Ligës së Kampionëve.

“The Reds” janë duke u përgatitur për një finale të dytë të Ligës së Kampionëve radhazi, mirëpo pakënaqësitë UEFA-an sa i përket ndarjes së biletave e kanë lënë nën hije finalen e 1 qershorit.

Edhe Liverpoolit, edhe Tottenhamit, iu janë dhënë vetëm 16,613 për tifozët e tyre për finalen e Ligës së Kampionëve të këtij sezoni, përkundër që stadiumi ku do të zhvillohet ajo, “Wanda Metropolitano”, ka kapacitet mbi 68 mijë ulëse.

Kjo do të thotë që shumë tifozë të Liverpoolit mbetën të zhgënjyer që nuk arritën të sigurojnë bileta për ta përcjellë këtë ndeshje nga afër. Si pasojë e kësaj, biletat kanë filluar të rishiten në tregun e zi me çmime tejet të ngritura.

Këtë javë u raportua se Liverpooli është duke i hetuar pesë tifozë që kishin dashur t’i shesin biletat e tyre në tregun e zi. Klubi ka premtuar se çdo tifoz që kapet duke bërë diçka të tillë do të pezullohet pakufishëm nga “Anfieldi”.

Duke folur në një konferencë, Moore tha se ai do ta diskutojë edhe këtë çështje me Ceferinin, i cili deri më tani ka qëndruar i heshtur sa i përket problemit të biletave për finalen e 1 qershorit në Madrid.

“Ne flasim me UEFA-n çdo ditë. Kemi qenë duke folur me ta për 40 vjet tani. Por, ne duam që UEFA ta kuptojë këtë qytet, gjë të cilën e bëjnë. Ceferini ishte këtu vitin e kaluar për ndeshjen e Manchester Cityt dhe kam kaluar shumë kohë me të. Do të takohem me të javën tjetër”, ka thënë Moore.

“Do të takohem me Ceferinin dhe zakonisht kur takohem me të, kam mbi 20 gjëra për t’i biseduar. Do të flas për të gjitha gjërat që ju i keni menduar: çfarë do të bëjmë për ndarjen e biletave dhe të gjitha gjërat e tjera normale. Është një listë e gjatë”.

“Lajmi i mirë është se do të shkojmë në finale të Ligës së Kampionëve, por kemi ende shumë punë për të bërë”. 

(Kosova Sot Online)