Pique tregon çfarë shkoi keq për Barcelonën kundër Liverpoolit

  • 24 May 2019 - 11:21
Pique tregon çfarë shkoi keq për Barcelonën kundër Liverpoolit

Gerard Pique e ka pranuar se largimi tronditës i Barcelonës nga Liga e Kampionëve në “Anfield” ende është në mendjen e lojtarëve. Ai ka thënë se historia e sezonit të kaluar me Romën ndikoi në disfatën e Barcelonës.

Sezonin e kaluar, kundër Romës, Barcelona e kishte fituar ndeshjen e parë, në Camp Nou, me rezultat 4:1, mirëpo ndeshjen si mysafir e humbi me rezultat 3:0. Edhe pse rezultati i përgjithshëm ishte 4:4, Roma kaloi në gjysmëfinale për shkak të epërsisë së golit të shënuar si mysafir.

Këtë sezon, Barcelona e bëri sërish të pamundurën, duke e flakur epërsinë prej tri golave në përballjen me Liverpoolin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ndeshjen e parë, në Camp Nou, katalonasit e fituan me rezultat 3:0.

Mirëpo, paraqitja në sfidën e parë u zhbë në ndeshjen kthyese, kur Liverpooli siguroi fitore me rezultat 4:0 dhe arriti ta sigurojë një vend në finalen e këtij sezoni të Ligës së Kampionëve.

Para finales së Kupës së Mbretit kundër Valencias, që zhvillohet të shtunën, Pique beson se lojtarët duhet ta bëjnë një hap të madh përpara sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të largohen nga ky zhgënjim.

“Kur diçka e tillë ndodh, gjithçka apo pothuajse gjithçka shkon keq. Mendoj se njerëzit ishin mendërisht të prekur nga ajo që ndodhi në Romë sepse nuk kishte kaluar edhe aq kohë që nga atëherë. Ishim në bllokadë mendore”, ka thënë Pique.

“Ata bënin presion aq lart, neve na mungonte ritmi i pasimeve dhe gjithçka ishte shumë intense. Edhe Anfieldi e luajti rolin e vet. Ka qenë e vështirë ta ngremë veten emocionalisht sepse përkundër që ditët kalonin, humbja nuk u harrua. Ne duhet të ecim përpara”. 

(Kosova Sot Online)