Ranieri: De Rossi do të jetë kapiten në ndeshjen e fundit, nëse klubi e dënon unë e paguaj gjobën

  • 24 May 2019 - 18:49
Ranieri: De Rossi do të jetë kapiten në ndeshjen e fundit, nëse klubi e dënon unë e paguaj gjobën

Daniele De Rossi do ta luaj ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Romës. Kapiteni i Giallorosëve do të largohet pas takimit ndaj Parmas, pasi klubi nuk i ka ofruar vazhdimin e kontratës.

E ndeshja e fundit në krye të Romës do të jetë edhe për trajnerin Claudio Ranieri, i cili ka folur në konferencë për shtyp. Tekniku italian ka thënë se do ta aktivizojë De Rossin nga minuta e parë me shiritin e kapitenit në krah edhe nëse klubi është kundër.

“De Rossi do të luaj titullar dhe do ta ketë shiritin e kapitenit në krah. Edhe nëse klubi do ta gjobisë për këtë, do të jem unë ai që do ta paguajë gjobën”, deklaroi trajneri italian.

Ranieri është i lindur në Romë dhe një tifoz i madh i verdhekuqëve, derisa ka thënë se pret një stadium të tejmbushur për t’i dhënë lamtumirën De Rossit.

“Pres që stadiumi të jetë i mbushur dhe me plot dashuri për De Rossin. Ai e meriton për atë që ka dhënë për këtë klub, duhet një përshëndetje e madhe”, deklaroi Ranieri.

Roma në ndeshjen e fundit pret Parman në Olimpico, derisa i duhet një fitore me pesë gola diferencë për të shkuar në Ligën e Kampionëve, por duhet të shpresojë edhe në gabimet e rivalëve si Atalanta, Inter e Milan.

(Kosova Sot Online)