Dybala: “Vëllai dha mendimin e tij, ndërsa unë kam timin – Dua të qëndroj te Juventusi”

  • 25 May 2019 - 08:55
Dybala: “Vëllai dha mendimin e tij, ndërsa unë kam timin – Dua të qëndroj te Juventusi”

Pak ditë më parë vëllai i Paulo Dybalës deklaroi se numri 10 i Juventusit është gati të largohet nga Torino, pasi nuk mund të luajë dot përkrah Cristiano Ronaldos, për shkak të mënyrave të ndryshme të lojës së njëri-tjetrit.

Por, vetë argjentinas, në një intervistë për mediat italiane, theksoi se dëshiron të mbetet pjesë e Juventusit edhe për vitet në vazhdim.

Ai gjithashtu tha se kjo do të varet edhe nga trajneri i ri që do të vijë, pas largimit të Max Allegrit.

“Vëllai dha mendimin e tij, ndërsa unë kam timin. Dua të qëndroj gjatë te Juventusi, pasi është një klub ku kam fituar shumë dhe dua të fitoj akoma. Paratici e di mirë që unë dua të qëndroj te Juventusi, por jo çdo gjë varet nga unë, pasi klubi do të vendosë edhe në bazë të zgjedhjeve të trajnerit”, tha Dybala.

Më pas argjentinasi foli edhe për marrëdhënien e tij me Massimiliano Allegrin, të cilin e ka pasur trajner gjatë 4 sezoneve me fanellën bardhezi, por edhe yllin e skuadrës juventine, Cristiano Ronaldon.

“Allegri është trajneri i vetëm që kam pasur te Juventusi dhe e falënderoj, pasi na ka ndihmuar të fitojmë shumë. Shpresoj që edhe trajneri i ri që do të vijë, të ecë në të njëjtat gjurmë. Sa i përket Ronaldos, ka qenë një ndjesi fantastike të luash përkrah tij, pasi të gjithë ia njohin cilësitë”, tha 25-vjeçari.

Më pas i pyetur në lidhje me një kalim të mundshëm te Interi këtë verë, Dybala tha se për respekt të tifozëve të Juventusit, nuk do të flasë për asnjë skuadër tjetër.

Dybala, që ka shënuar 78 gola në 181 paraqitje me Zonjën e vjetër në katër sezone – kërkohet edhe nga Parsi Saint Germain dhe Manchester United.

(Kosova Sot Online)