Messi zotohet se do të qëndrojë në Barcelonë pavarësisht zhgënjimit në Champions

  • 25 May 2019 - 11:45
Messi zotohet se do të qëndrojë në Barcelonë pavarësisht zhgënjimit në Champions

Messi nuk e ka ndërmend të largohet nga Barcelona, ai e bëri këtë të ditur dje në konferencë për media, e para që prej vitit 2015.

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, është zotuar se do të qëndrojë në klub edhe pse vazhdon të jetë i zhgënjyer për eliminimin dramatik nga Champions League.

Barcelona e fitoi 3-0 ndeshjen e parë në Camp Nou, por u befasua në “Anfield”, ku humbi 4-0 nga Liverpooli.

Në konferencë për media para finales së Copa del Rey, Messi foli për shumë gjëra, si dhe për të ardhmen.

“Dua ende të jem këtu, pavarësisht zhgënjimit”, tha Messi para ndeshjes në stadiumin “Benito Villamarin”.

“Këso zhgënjime kam pasur edhe me Argjentinën, por nuk ndryshojnë asgjë, duhet të vazhdojmë para”.

“Nuk e kam rishikuar ndeshjen, por ajo që kam përjetuar ka qenë e ngjashme me atë që ka ndodhur në Romë. Kemi pësuar gol shumë shpejt dhe nuk kemi arritje të reagojmë. Në pjesën e parë kemi qenë në lojë, por gabimi më i madh ka qenë që nuk luftuam në të dytën. Ende nuk po mundemi të këndellemi me atë që ndodhi në Liverpool, ose të paktën unë. Do të tentojmë të fitojmë finalen dhe të përfundojmë sezonin me një tjetër titull”.

“Nuk kam premtuar se do ta fitojmë Champions Leaguen, kam premtuar që do të japim gjithçka që është e mundur. Jemi të dëshpëruar që nuk ia dolëm. Duhet të kërkojmë falje, jo që humbëm, por që nuk konkurruam. Të gjithë kishim mendjen te Championsi dhe për këtë zhgënjimi është edhe më i madh, sidomos përsëritja e asaj që ndodhi me Romën. Por, duhet të vazhdojmë para dhe jemi afër të një tjetër dopiete. Kuptohet, ndjehemi çuditshëm për shkak të asaj që ndodhi”.

Messi e ka fituar sërish Këpucën e Artë, të gjashtën në karrierë – pasi e përfundoi sezonin me 36 gola. Ai është favorit për ta fituar edhe Topin e Artë, që do të ishte i gjashti në karrierë.

Messi synon ta përfundojë karrierën në Barcelonë.

Ai është pjesë e katalunasve që nga viti 2003, kurse ka luajtur për ekipin e parë nga sezoni 2004/05.

Deri më tani, ai ka bërë 686 paraqitje për Barcelonën në të gjitha garat, ka shënuar 602 gola dhe ka dhuruar edhe 231 asiste. 

(Kosova Sot Online)