Gattuso pas dështimit të Milanit: Jam i shkatërruar copa-copa

  • 27 maj 2019 - 09:00
Gattuso pas dështimit të Milanit: Jam i shkatërruar copa-copa

Gennaro Gattuso ka thënë se do ta konsiderojë të ardhmen e tij sepse ndihet i shkatërruar copa-copa pas një sezoni rraskapitës në Serie A, pas të cilit Milani i tij dështoi për pak ta sigurojë kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Milani e mbylli sezonin me fitore 3:2 ndaj SPAL-it, e cila nuk qe e mjaftueshme për ta kaluar rivalin e moçëm, Interin, apo Atalantën në renditjen tabelore, pasi kuqezinjtë ngelen një pikë mbrapa

Për të ardhmen e Gattusos është spekuluar vazhdimisht gjatë sezonit, por legjenda kuqezi – i cili u emërua trajner në vitin 2017 – është i etur ta dëgjojë vlerësimin e klubit për punën e tij.

“E falënderoj ekipin. Jam krenar që e mbyllem me 69 pikë, edhe nëse dhemb që nuk u kualifikuam në Ligën e Kampionëve. Puna e trajnerit duhet të vlerësohet nga klubi dhe nga ekspertët. Do të takohem me klubin dhe do të bisedojmë. Dua t’i dëgjoj ata çfarë kanë për të thënë për punën time”, tha Gattuso për DAZN.

Trajneri italian thotë se do ta konsiderojë të ardhmen sepse ndihet i shkatërruar mendërisht.

“Unë ndiej shumë histori me këtë klub, kam ndier më shumë presion sesa që është dashur, mbase. Mezi flija gjumë këta 18 muajt e fundit, jam i shkatërruar copa-copa mendërisht dhe këtë duhet ta konsideroj”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online)