E merituan apo jo Feronikeli e Prishtina Evropën? Ky është vlerësimi i analistëve

  • 27 May 2019 - 16:35
E merituan apo jo Feronikeli e Prishtina Evropën? Ky është vlerësimi i analistëve

Feronikeli e Prishtina janë dy skuadrat që do ta prezantojnë futbollin tonë në arenën ndërkombëtare.

Feronikeli si kampion i Kosovës do të luajë në Ligën e Kampionëve, derisa Prishtina si skuadra e renditur në pozitën e dytë në tabelë do të përfaqësohet në Ligën e Evropës.

Sipas analistëve këto dy skuadra e kanë merituar këtë, pasi janë dhe ishin më të mirat gjatë gjithë kampionatit dhe me të drejtë pritet që ato ta prezantojnë më së miri futbollin tonë në arenën ndërkombëtare.

Sa i përket shanseve, “Nikli” ka gjasa të mira të vazhdojë tutje, kjo pasi ndeshjet paraeliminatore do t’i zhvillojë në stadiumin e Prishtinës dhe duke e parë formën e mirë të kësaj skuadre me plotë të drejtë pritet kalimi në fazën tjetër.

Image

Ndërsa Prishtina shpresohet të ketë fat në short i cili hidhet me 11 qershor ku edhe do ta mësojë kundërshtarin e saj.

“I kemi dy ekipet më të mira që janë dal prej këtij kampionati dhe mendoj se do të na përfaqësojnë më shumë sukses”, ka thënë për “Kosova Sot Online”, trajneri vushtrrias, Bekim Shotani.

“Edhe Feronikeli edhe Prishtina kanë grup të mirë të lojtarëve edhe individ cilësor që vendosin në fushë, prandaj pres rezultate pozitive sidomos në fillim të këtij cikli. Përfundimisht them se këto dy skuadra janë me meritë në Evropë”, vlerësoi Shotami.

“Unë mendoj që këtë vit në garat evropiane dy skuadrat do të kenë rezultate më të mira se vitet e kaluara. Jam shumë i bindur edhe nga përvoja tani që po krijojmë në gara evropiane e sidomos për Prishtinën që është në vitin e tretë radhazi që merr pjesë, atëherë duhet të presim suksese.

Shpresoj që këto suksese që do të jenë në gara evropiane, do të na e ngrisin edhe vullnetin te ekipet tjera për të garuar për një vend në EVropë”, ka përfunduar Bekim Shotani.