Këto janë arsyet e dështimit të Barcelonës

  • 27 May 2019 - 20:39
Këto janë arsyet e dështimit të Barcelonës

 

Barcelona mbylli sezonin me një humbje në finalen e Kupës së Mbretit kundër Valencias. Tentoi të bënte dopietë, por dështoi dhe ajo ndeshje iu shtua disfatës së “Anfield”.

Shumë pritshmëri, por vetëm një trofe për skuadrën katalanase. Për ekipe të tjera, fitorja e titullit kampion do të ishte një sukses i madh, por te Barcelona nuk kënaqen me pak. Gazeta “MARCA” ka bërë një analizë të arsyeve që shpjegojnë dështimin e skuadrës së Ernesto Valverdes.

TRAJNER PA ZGJIDHJE- Ernesto Valverde është rikthyer në diskutim për stolin katalanas. Në një muaj shkatërroi gjithçka kishte ndërtuar për të ardhmen. “Milingona” është kritikuar shpesh për formacionet e gabuara. Gaboi në Romë dhe e përsëriti të njëjtën gjë edhe në Liverpul. Ai thotë se do të vazhdojë të qëndrojë, Bartomeu dhe skuadra e mbështet. Por nga ana tjetër, ka edhe nga ata që thonë se ai do të shkarkohet dhe sezonin e ardhshëm nuk do të vazhdojë.

PA KARAKTER- Si për çudi, Barcelona shfaqet një ekip shumë i brishtë në momentet më të vështira. Atëherë kur duhet të tregojë krenarinë, shndërrohet në një ekip të “vogël”. Vetëm kështu mund të shpjegohet disfata në “Anfield”. Për të folur për detaje, u kuptua diçka e tillë nga mungesa e Arturo Vidalit. I vetmi lojtar që lufton kur të gjithë janë të rrëzuar…

MESI, I VETËM- Me Kutinjon në krizë, Suarezin në momente rënieje, Dembelenë e dëmtuar, askush nuk mund ta ndihmonte skuadrën atëherë kur duhej. Artur Melo gjithashtu ka pasur probleme fizike, ndërsa Malkom është më shumë vullnet sesa cilësi. Buskets dhe Rakitiç morën “pushimet” përpara kohe, ndërsa Ter Shtegen, Pike dhe Alba përpara 1 muaji ishin më të mirët. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ishin në lartësinë e duhur.

KUTINJO- Është blerja më e shtrenjtë e klubit dhe Barcelona bëri një sforco të madhe ekonomike për ta transferuar, por ai nuk e gjen dot veten në sistemin katalanas dhe më e keqja është se duket shumë e vështirë për t’u përfshirë në të për të ardhmen. Pritshmëritë e krijuara rreth tij ishin të mëdha, por braziliani dështoi dhe nuk u tregua i zoti t’i shndërronte ato në forcë për të mahnitur tifozët katalanas.

MESFUSHA- Ky është reparti më i rëndësishëm dhe në të cilin Barcelona ka nevojë për ndryshim. Për këtë arsye është transferuar De Jong. Buskets nuk njihej në fushë, Rakitiç nuk ka jetuar një sezon të mirë. Hapësira që kanë lënë Ksavi me Iniestën është e dukshme dhe askush nuk iu afrohet dy legjendave të Barcelonës.

SUAREZ- Uruguaianit nuk i mungojnë shifrat dhe ato i ka të gjitha në anën e tij. Jemi duke folur për një nga sulmuesit më të mirë në botë, por duket se edhe ai pësonte një rënie të çuditshme në ndeshjet vendimtare të Champions-it. Është 32 vjeç dhe ka nevojë që në momente të caktuara të pushojë. Për sezonin e ardhshëm sigurisht që Barcelona ka nevojë për një sulmues tjetër.

MERKATO- Me Suarezin e dëmtuar, Boateng e pa finalen e Kupës së Mbretit nga tribuna. Murijo ishte vite dritë larg nga ajo që pritej dhe Todibo ishte një mister. I vetmi që luajti në finalen e Kupës së Mbretit ishte Malkom, për të cilin shifra që u pagua ishte e majme.

(Kosova Sot Online)