Gazeta prestigjioze franceze: Kapiteni i Serbisë zgjedh Kosovën

  • 28 May 2019 - 10:51
Gazeta prestigjioze franceze: Kapiteni i Serbisë zgjedh Kosovën

Lajmi për kalimin e Arton Zekajt nga Kombëtarja e Serbisë në atë të Kosovës ka bërë jehonë edhe në jashtë Ballkanit. Për këtë vendim të futbollistit ka shkruar edhe gazeta prestigjioze franceze, L’Equipe, e cila e organizon Topin e Artë.

Futbollisti i lindur në Suboticë, Arton Zekaj, aktualisht është pjesë e klubit elitar francez, Lille, por që si futbollist u rrit në akademinë e Partizanit të Beogradit, e ku falë talentit të tij ishte edhe pjesë e Përfaqësueses së Serbisë për grupmoshat U15, U16 dhe U17.

Megjithatë, mundësia për ta përfaqësuar Kosovën dhe dëshira e madhe e familjes për ta veshur fanellën e Dardanëve bëri që ai të veprojë menjëherë dhe tash e tutje të jetë pjesë e Kombëtares U21.

“Mesfushori defansiv Arton Zekaj, 19-vjeçar, i lindur dhe i stërvitur në Serbi, zgjodhi t’i veshë ngjyrat e vendlindjes së tij, Kosovës”, shkruan L’Equipe.

“I rekrutuar nga Lille verën e kaluar, nga FK Sopot Belgrade, Arton Zekaj, 19-vjeçari i stërvitur në Partizan, vendosi ta përfaqësojë vendin e prindërve të tij, Kosovën, një zgjedhje e vështirë për futbollistin që ishte kapiteni i Serbisë U-20.

“Republika e vogël shqipfolëse, e cila u shpall e pavarur në vitin 2008, u pranua nga FIFA në vitin 2016”, përfundon shkrimi i L’Equipe.

Ai ishte paraparë të debutonte në ndeshjet e qershorit për kualifikimet e Evropianit 2021 me Kombëtaren U21 kundër Andorrës dhe Turqisë, por një lëndim i pësuar së fundmi ka bërë që debutimi i tij të shtyhet për në shtator.

(Kosova Sot Online)