Gjuha shqipe po e kënaq Hadërgjonajn në Kosovë

  • 28 May 2019 - 14:20
Gjuha shqipe po e kënaq Hadërgjonajn në Kosovë

Edhe pse i lindur në Langnau të Zvicrës, Florent Hadërgjonaj është shumë i lumtur që kur të jetë me ekipin kombëtar të Kosovës do ta ketë mundësinë të flasë me bashkëlojtarët në gjuhën shqipe.

Më 9 maj të këtij viti, Federata e Futbollit të Kosovës bëri të ditur se Florent Hadërgjonaj i është bashkuar skuadrës së Kosovës dhe do të luajë me fanellën e “Dardanëve” qysh nga ndeshjet e qershorit.

Futbollisti i Huddersfield e ka kaluar tërë karrierën e tij në klube ku është detyruar të flasë në gjuhë të huaja me bashkëlojtarët, ndërsa tani në Kosovë ai ka bërë të ditur se po ndihet më i lirë dhe më i lehtësuar. Për më tepër, ai tha se mundësia për të folur në shqip është motivuese për të.

Mbrojtësi anësor 24-vjeçar e nisi karrierën e tij si futbollist në gusht të vitit 2010, kur nga Thun Jugend kaloi në ekipin U-17 të Luzernit. Në rrugëtimin e karrierës së tij, ai ka luajtur në Zvicër, Gjermani e Angli, por për të fanella e Kosovës do të jetë më e veçanta.

“Gjithmonë e kam vizituar Kosovën sepse është vendlindja e prindërve të mi dhe ende i kam disa familjarë këtu. Për mua Kosova gjithmonë ka qenë e rëndësishme. Prindërit shpesh na sillnin këtu në mënyrë që mos ta harrojmë gjuhën, sepse kur jeton në Zvicër dhe shkollohesh atje nuk është aq lehtë të mos e harrosh gjuhën”, ka thënë Hadërgjonaj.

“Për mua Kosova është gjithçka. Këtu ndihem më i lirë dhe më i lehtësuar sepse të gjithë flasin shqip. Edhe në ekipin kombëtar do t’i kem të gjithë bashkëlojtarët që flasin shqip. Kur nuk ke nevojë të flasësh në gjuhë tjetër kjo pa dyshim të ndihmon dhe është shumë motivuese”.

“Fanella e Kosovës për mua është diçka shumë e veçantë, prandaj me padurim pres ta luaj ndeshjen e parë, e cila do të jetë shumë emocionuese si për mua ashtu edhe për familjen time”.

Ndërkohë, Hadërgjonaj u ka premtuar tifozëve angazhim maksimal.

Ekipi kombëtar i Kosovës do të grumbullohet më 2 qershor për t’i filluar përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, kundër Malit të Zi më 7 qershor dhe kundër Bullgarisë më 10 qershor. Këto ndeshje do të zhvillohet në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për EURO 2020.

(Kosova Sot Online)