Ish-futbollisti i Man Utd: Më shpëtoi futbolli, si fëmijë shisja marihuanë dhe merrja pjesë në festa me drogë

  • 28 May 2019 - 15:08
Ish-futbollisti i Man Utd: Më shpëtoi futbolli, si fëmijë shisja marihuanë dhe merrja pjesë në festa me drogë

Memphis Depay e ka zbuluar një pjesë të jetës së tij, ku ka treguar se si fëmijë kishte shitur marihuanë dhe më pas kishte marrë pjesë në “party” ku përdoreshin llojet më të rrezikshme të drogës

Nuk ishte e mbushur e tëra me lule dhe trëndafila jeta e sulmuesit të Olympique Lyonit, Memphis Depay, i cili ishte detyruar ta përjetonte një goditje të rëndë qysh në moshën katër vjeçare, kur prindërit e tij ishin ndarë.

Ai ishte protagonist i një jete me aventura jo fort të mira si fëmijë dhe në adoleshencë para se të bëhej futbollist profesionist.

Gjatë transmetimit televiziv “Pauw”, ai ka folur për disa pjesë të autobiografisë së tij “Zemra e një luani”, ku ndër të tjera ka treguar se shiste marihuanë dhe merrte pjesë në festa ku konsumoheshin drogat më të rrezikshme.

“Nuk jam dakord me shumë gjëra që i kam bërë në të kaluarën dhe nuk jam krenar për këtë. Por, i kam publikuar megjithatë, sepse dua që libri të flasë për gjithçka, pa censura. Kjo shërben për t’ju treguar djelmoshave që janë në situatë të njëjtë, të cilët nuk i kanë njerëzit e duhur që i udhëheqin dhe që nuk duhet të vazhdojnë t’i bëjnë gjërat e gabuara. Unë gjithmonë kam dashur të bëhem futbollist profesionist, por për një kohë të gjatë kam bërë gjëra që nuk është dashur të ndodhnin”, ka thënë futbollisti holandez.

“Depay i ri” është i bindur tash se mund ta përfaqësojë një model të ndryshimit për shumë djelmosha që jetojnë në të njëjtën situatë.

“Shpresoj të jem shembull për të tjerët. Disa gjëra vazhdojnë të të përcjellin, unë e kam arritur limitin, por e kam pasur fatin të dal nga to. Për të tjerët, gjërat mund të përfundojnë keq. Unë dilja natën nëpër rrugë dhe bëja gjëra që një djalosh nuk do të duhej t’i bënte. Mirëpo, talenti im për futbollin më ka shpëtuar”, e ka përfunduar një pjesë të historisë së jetës së tij 25 vjeçari.

Depay një kohë kishte luajtur në Manchester United, ndërsa është pjesë e rregullt e Kombëtares së Holandës. 

(Kosova Sot Online)