Rrëfimi i Hadërgjonajt: I shikoja i mahnitur ndeshjet e Kosovës në televizor

  • 28 May 2019 - 15:11
Rrëfimi i Hadërgjonajt: I shikoja i mahnitur ndeshjet e Kosovës në televizor

Ylli i ri i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, i kishte përcjellë ndeshjet e “Dardanëve” edhe para se të bëhej pjesë e kësaj skuadre, në kohën kur ishte ende përfaqësues i Zvicrës.

Përderisa Florent Hadërgjonaj ishte ende pjesë e Kombëtares së Zvicrës, Kosova triumfoi në Grupin 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve, duke e siguruar një vend në play-offs për kualifikim në Kampionatin Evropian, raporton Gazeta Express.

Përveç këtij suksesi të arritur në Ligën e Kombeve, Kosova ka arritur ta vazhdojë ecurinë e jashtëzakonshme të ndeshjeve pa disfatë dhe tani mund ta sigurojë një vend në EURO 2020 edhe para play-offs, përmes radhitjes në njërën prej dy pozitave të para në tabelën e Grupit A.

Në këtë grup, Kosova ballafaqohet me Anglinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Republikën Çeke. Pikërisht kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë, Hadërgjonaj do ta ketë mundësinë ta zhvillojë ndeshjen e parë me fanellën e “Dardanëve”.

“I kam shikuar pothuajse të gjitha ndeshjet e Kosovës si në kualifikime ashtu edhe në Ligën e Kombeve nëpërmjet TV-së në Angli dhe kam qenë i mahnitur me atë çfarë ka treguar ekipi. Loja e Kombëtares por edhe mbështetja që i kanë dhënë tifozët ka qenë diçka shumë e veçantë”.

“Çunat e bënin lojën shumë të mirë. Ka lojtarë shumë të talentuar dhe tani jam edhe unë pjesë e grupit dhe qëllimi im është ta ndihmoj ekipin të ecë përpara. Kryesorja është që hap pas hapi të bëhemi edhe më të fortë”

“E di që ka ende punë sepse jemi lojtarë të rinj dhe kemi ende gjëra për të mësuar, por besoj se mund të arrijmë diçka shumë të madhe”, shprehet tutje Hadërgjonaj.

Anëtari i deritashëm i Huddersfieldit është i vetëdijshëm se në ekipin kombëtar ka shumë talente dhe konkurrenca është e madhe, por këtë e vlerëson si diçka pozitive.

“Gjithkund ekziston konkurrenca, si në klub ashtu edhe në ekipin kombëtar. Ekipi nuk i ka vetëm 11 lojtarë, por konkurrenca duhet shikuar në aspektin pozitiv sepse mund t’i ndihmojmë njëri-tjetrit”, shtoi Hadërgjonaj.

“Pastaj është trajneri që vendos për lojtarët që do të luajnë. Neve si futbollistë na mbetet që të japim maksimumin në stërvitje në mënyrë që ta shoh trajneri se je i gatshëm dhe i rëndësishëm për kombëtaren”.

Ekipi kombëtar i Kosovës do të grumbullohet më 2 qershor për t’i filluar përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, kundër Malit të Zi më 7 qershor dhe kundër Bullgarisë më 10 qershor. Këto ndeshje do të zhvillohet në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për EURO 2020. 

(Kosova Sot Online)