Bullgaria – Kosova: FFK-ja njofton për çmimin, sasinë dhe vendin ku mund t’i blini biletat

  • 28 May 2019 - 19:54
Bullgaria – Kosova: FFK-ja njofton për çmimin, sasinë dhe vendin ku mund t’i blini biletat

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se biletat për ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 të Kosovës kundër Bullgarisë do të mundë t’i blini në selinë e saj, me një çmim prej 15 euro për biletë.

Kosova do të udhëtojë drejt Sofjes më 10 qershor për t’u përballur me Bullgarinë në ndeshjen e tretë kualifikuese në Grupin A, pasi të ketë luajtur kundër Malit të Zi vetëm tri ditë më parë, po ashtu në udhëtim.

Kosova barazoi 1:1 me Bullgarinë në “Fadil Vokrri” në mars, në ndeshjen e saj të parë në një fushatë kualifikuese për Kampionat Evropian.

Organi qeverisës i futbollit kosovar ka njoftuar se sasia e biletave është e kufizuar dhe se për ta blerë një nevojitet një kopje e letërnjoftimit.

“Pasi që biletat janë pronë e Federatës bullgare, personat që bëjnë blerjen e biletave duhet të sjellin me vete një kopje të letërnjoftimit. Çmimi për 1 biletë është 15 euro (i vendosur nga Federata Bullgare e Futbollit). Sasia e biletave është e limituar”, thuhet në njoftimin.

“Blerja e tyre mund të bëhet në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës nga data 29.05.2019 nga ora 09:00-12:00 dhe nga ora 13:30-16:00” thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online)