Hadërgjonaj asiston, Rashica shënon – yjet e Kosovës bëhen gati për ndeshjet e qershorit

  • 29 May 2019 - 12:15
Hadërgjonaj asiston, Rashica shënon – yjet e Kosovës bëhen gati për ndeshjet e qershorit

Një pjesë e futbollistëve të Kombëtares së Kosovës i kanë nisur të martën pasdite përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese të qershorit për Kampionatin Evropian 2020, përfshirë prurjen e re, Florent Hadërgjonajn.

Edhe pse sapo është bërë pjesë e ekipit të Kosovës, Florent Hadërgjonaj dhe Milot Rashica e shfaqën lidhjen e tyre të mirë në fushë qysh në stërvitjet e para.

Gjatë seancës stërvitore që u mbajt dje në “Fadil Vokrri”, Hadërgjonaj e harkoi një top brenda zonës së 16-metërshit dhe Rashica e dëshmoi veten duke e shënuar atë në stilin “vollej”.

Pesë prej njëzetepesë futbollistëve të ftuar nga trajneri Bernard Challandes për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë zbritën dje në fushën e gjelbër të stadiumit Fadil Vokrri në Prishtinë.

Kosova do të udhëtojë drejt Podgoricës më 7 qershor për t’u përballur me Malin e Zi, para se ta vizitojë Sofjen për t’u ndeshur me Bullgarinë në dy ndeshjet e Grupit A kualifikues, ku bëjnë pjesë edhe Anglia dhe Republika e Çekisë.

Samir Ujkani, Visar Bekaj, Atdhe Nuhiu, Milot Rashica dhe Florent Hadërgjonaj, të cilët kanë mbërritur në Kosovë më herët se të tjerët, i kanë filluar nën përkujdesjen e trajnerit të përgatitjes fizike, Thomas Richard dhe trajnerit të portierëve, Ahmet Beselica, njofton Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Ata u stërviten kryesisht në aspektin fizik, sipas FFK-së.

Ata do të vazhdojnë stërvitjet edhe në ditët në vijim me lojtarë tjerë që arrijnë në ndërkohë, por stërvitjet e kompletuara do të fillojnë më 2 qershor, pasi ekipi kombëtar të jetë kompletuar.

(Kosova Sot Online)