Zyrtare: Spalletti largohet nga Interi

  • 30 May 2019 - 11:42
Zyrtare: Spalletti largohet nga Interi

Interi ka bërë të ditur përmes llogarisë në Twitter se Luciano Spalleti nuk është më trajner i skuadrës zikaltër, duke ia lëshuar kështu rrugën Antonio Contes, i cili pritet të ulet së shpejti në karrigen e trajnerit të zikaltërve.

Luciano Spalletti u emërua trajner i Interit më 9 qershor të vitit 2017 dhe kontrata e tij ishte e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2021.

Megjithatë, klubi zikaltër ka lajmëruar përmes Twitterit se Spalletti nuk do ta mbajë pozitën e trajnerit deri në fund të kontratës dhe rrugët e tyre tashmë janë ndarë.

“FC Internazionale Milani bën të ditur se Luciano Spalletti nuk e mban më rolin e trajnerit të ekipit të parë. Klubi e falënderon trajnerin për punën që e ka bërë dhe për rrugën e bërë së bashku”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Interi.

Gjatë 720 ditëve të kaluara si trajner i Interit, Spalleti i zhvilloi gjithsej 90 ndeshje, prej të cilave 46 i fitoi, 24 i barazoi dhe 20 i humbi.

Përkundër që ai e siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve për të dytin sezon radhazi, mediat italiane kishin parashikuar se ai do të shkarkohet së shpejti dhe në vend të tij pritet të vijë Antonio Conte. 

(Kosova Sot Online)