Petr Cech, në lot pas finales së Ligës së Evropës

  • 30 May 2019 - 12:38
Petr Cech, në lot pas finales së Ligës së Evropës

Portieri i Arsenalit, Petr Cech, nuk arriti t’i përmbajë emocionet pas disfatës në finale të Ligës së Evropës kundër ish-klubit të tij, Chelseat.

Portieri nga Republika Çeke i bëri disa pritje të mira në ndeshjen e fundit të karrierës së tij 20-vjeçare si futbollist profesionist. Megjithatë, ato pritje nuk i mjaftuan Arsenalit, që pësoi disfatë 4:1 kundër Chelseat.

37-vjeçari nuk i përmbajti dot emocionet pas fundit të ndeshjes dhe kamerat televizive të Fox Sports e kapën atë duke i fshirë lotët nga sytë.

Cech, i cili i bëri 850 paraqitje dhe i fitoi gjithsej 18 trofe në karrierën e tij, e dha një intervistë prekëse për BT Sport pas ndeshjes, ku e shprehu krenarinë e tij për karrierën që e ka pasur.

“Jam krenar për veten dhe jam krenar për mënyrën se si luajta sot sepse kur e luan ndeshjen e fundit të karrierës në finale, ka shumë presion dhe shumë spekulime”, u shpreh Cech.

“Unë duhet të performoja dhe duhet të them që bëra gjithçka që kisha mundësi dhe mund të shikoj prapa pa asnjë pendim, përveç që punuam aq shumë gjatë sezonit dhe në fund e mbyllëm sezonin me asgjë”.

“Ky grup i lojtarëve nuk e meriton një gjë të tillë për shkak të punës së madhe që e kanë bërë këtë sezon”. 

(Kosova Sot Online)