Joshua synon meçin me Furyn, pasi beson se Wilderi po i shmanget

  • 31 May 2019 - 09:51
Joshua synon meçin me Furyn, pasi beson se Wilderi po i shmanget

Kampioni i botës në kategorinë e peshave të rënda në boks, Anthony Joshua, thotë se dëshiron të ndeshen me bashkëkombësin e tij nga Britania e Madhe, Tyson Furyn, pasi ta mposhtë Andy Ruiz Jr të shtunën.

Kampioni i WBA-së, WBO-së dhe IBF-it, 29-vjeçari Anthony Joshua kishte shpresuar se do të takohej se kampionin e WBC-së, Deontay Wilderin, për ta zhvilluar një meç unifikues, por amerikani ka arritur marrëveshje për meç kundër Luis Ortizit.

Joshua ka thënë për BBC Sport se tani ka ardhur koha për të negociuar për një “meç të vërtetë”.

“Mendoj se mund ta mposht Ruizin. Nëse Wilder nuk është në dispozicion, e dua Furyn. Unë thash se dua të takohem me Wilderin, të flas me të dhe ditën tjetër ai e zyrtarizoi një meç pa datë e pa vend”, ka thënë Joshua.

“Unë ende them se ka ende shpresë, por mendoj se personi i radhës me të cilin dua të ndeshem është Fury”.

Ish-kampioni botëror, Fury, 30-vjeçar, do të ndeshet me gjermanin Tom Schwarz në Las Vegas, më 15 qershor.

Kur u pyet se a mendon që mund të arrijë marrëveshje për t’u ndeshur me Furyn, Joshua tha: “Ndoshta jo. Këta boksierë kanë ego të madhe dhe mendojnë: “Nëse ai dëshiron të ndeshet me mua, duhet të vijë të më shohë””.

Ruiz, i cili foli për vështirësitë me të cilat është përballur në fëmijëri, e paralajmëroi Joshuan që të mos e nënvlerësojë para meçit të tyre në Madison Square Garden të Nju Jorkut, më 1 qershor. 

(Kosova Sot Online)