Klopp: Ishim si ujqër të uritur kundër Barcelonës

  • 31 May 2019 - 12:25
Klopp: Ishim si ujqër të uritur kundër Barcelonës

 

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, beson se skuadra e tij i ngjasonte ujqërve që nuk janë ushqyer për tetë javë në ndeshjen kthyese kundër Barcelonës, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.

Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.

Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.

“Nuk kishte të bëjë me kalimin e fazës, por gjithçka kishte të bëjë me fitoren në ndeshjen kthyese. E dimë, luajtëm mirë edhe në Barcelonë, por humbëm. Në shtëpi, ne donim të luajmë mirë dhe të fitojmë”, ka thënë Klopp për Sport1.

“Pastaj, gjatë ndeshjes do ta shihnim nëse mund të synojmë ta sigurojmë një vend në finale apo jo. Por, para ndeshjes, ne e gjetëm veten me shumë pritshmëri. E donim finalen, edhe pse ishte ndeshja e tretë në vetëm gjashtë ditë për ne”.

“Na ndihmoi fakti që po luanim kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve – nuk ke nevojë të mendosh për asgjë tjetër sepse lojtarët motivohen vetë për ndeshje të tilla. Ajo që ndodhi aty ishte futboll dhe pa fat nuk do të kishte qenë e mundur”.

“Kur e pashë si e filluam ndeshjen, e kisha përshtypjen se në fushë kishim ujqër që nuk kishin ngrënë asgjë për tetë javë. Ata luajtën me të vërtetë si të çmendur”.

(Kosova Sot Online)