Reagon Vëllaznimi: Gjyqtari ishte kryekriminel, nëse FFK-ja heshtë tregon se ishte e përfshirë në krim

  • 02 June 2019 - 12:56
Reagon Vëllaznimi: Gjyqtari ishte kryekriminel, nëse FFK-ja heshtë tregon se ishte e përfshirë në krim

 

Skuadra e Vëllaznimit ka lëshëuar një komunikatë për media, një ditë pas humbjes 4-2 ndaj Trepçës 89 në ndeshjen e barazhit.

Gjakovarët pretendojnë gjyqtarët kanë ndarë drejtësinë në mënyrë tendencioze dhe kanë akuzuar gjyqtarin Mervan Bejtullahu duke e quajtur kryekriminel.

Vëllaznimi ka bërë thirrje që të reagoj edhe Federata e Futbollit të Kosovës, dhe nëse këtë nuk e bën, sipas tyre edhe ajo është e përfshirë në këtë situatë.

Ky është reagimi i plotë i Vëllaznimit:

Të dëshpëruar, indinjuar dhe të revoltuar maksimalisht me atë që ndodhi dje në ndeshjen e barazhit Trepça’89-Vëllaznimi, qëllimisht jemi përmbajtur që të mos reagojmë menjëherë, vetëm e vetëm që me vlerësimet tona të mos bijmë pre e nervozizmit dhe dëshpërimit ekstrem që me të drejtë na kishte mbërthyer. Pritëm që mundësisht të qetësohemi sa do pak, edhe pse një gjë e tillë është gati e pamundur, ta rishikojmë edhe një herë regjistrimin e ndeshjes, në mënyrë që të japim një vlerësim sa më real.

Rishikimi i regjistrimit të ndeshjes vetëm sa na përforcoi bindjen tonë se komplet treshja e gjyqtarëve – Mervan Bejtullahu, Edmond Zeqiri e Fatmir Sekiraqa, dje, në këtë ndeshje, kanë bë një mëkat të madh ndaj Vëllaznimit, kanë bë një krim ndaj klubit tonë, duke i qit mbi supe një turp të madh futbollit kosovar. Të prirë nga kryekrimineli i këtij krimi, Mervan Bejtullahu, ata, gjatë 90 minutave, pa fije turpi, nderi apo frike, haptazi anonin për skuadrën e Trepça’89, duke u munduar që në çdo minutë, në çdo sekondë, t’iu bëjnë me dije futbollistëve tanë se nuk kanë çka të kërkojnë në këtë ndeshje.

Pas rishikimit të regjistrimit të ndeshjes u bindëm se pas çdo dueli, akordohej goditje dënimi për rivalët tanë, madje edhe atëherë kur ishte plotësisht e qartë se duhej të bëhej e kundërta. Nuk sanksionoheshin as ndërhyrjet më të ashpra ndaj futbollistëve tanë, pas të cilave, protagonisti kryesor i këtij krimi, Bejtullahu, mundohej që të kamufloj vendimet e veta skandaloze, me sjellje tejet arrogante ndaj futbollistëve tanë, të cilëve vazhdimisht u bërtiste, i shante, i ofendonte dhe u kërcënohej!!! Mjafton të analizohet periudha prej 8-9 minutave para golit të dytë të barazimit të Trepçës’89, kur për këto minuta akordoi madje 7 faula në afërsi të zonës tonë të rrezikimit, shumica prej të cilëve nuk ekzistonin fare, vetëm e vetëm që sa më shumë të rrezikohet porta e jonë dhe kjo rezultoi më golin e dytë të Trepça-89. Kështu në fakt ishte thuajse gjatë gjithë kohës së ndeshjes.

Në këtë mënyrë, gjyqtarët në formën më të paskrupullt dhe më të pacipë, luajtën me mundin dhe djersen e futbollistëve, sponsorëve, shtabit teknik, tifozëve dhe të të gjithë anëtarëve të Vëllaznimit. Nuk e dimë se a qëndrojnë pas këtij krimi të pashembullt struktura të caktuara të FFK-s, mirëpo nëse organet përkatëse të FFK-s heshtin pas këtij veprimi të Mervan Bejtullahut dhe ndihmësve të tij, atëherë kemi plotësisht të drejtë të mendojmë se ky veprim ka qenë i nxitur dhe i stimuluar edhe nga këto organe, respektivisht nga struktura të FFK-s.

Jemi plotësisht të bindur se këtu ka punë për organet e hetuesisë. Prandaj, publikisht, i ftojmë hetuesit shtetëror që të hetojnë se nga kush kanë qenë të nxitur, të stimuluar dhe të mbrojtur gjyqtarët e kësaj ndeshje për të bërë këtë krim sportiv. Në të kundërtën Vëllaznimi do të jetë vetëm viktima e radhës, sepse “fatin” e tij, shumë shpejt do ta pësojnë klube të tjera, dhe kështu për rezultatet e ndeshjeve, fatkeqësisht, përcaktuese do të bëhej “mafia e futbollit”!

Me këtë rast, sinqerisht dhe nga zemra i falënderojmë tifozët tanë të pashoq dhe shembullor, jo vetëm për mbështetjen shumë masovike dhe entuziaste, por edhe për vetëpërmbajtjen që e demonstruan. Sepse, në raste të tilla kur ka aso padrejtësi evidente ndaj klubit të tyre, siç ndodhi dje, rreziku që publiku, në shenj pakënaqësie dhe revolte, të vërshon brenda fushës së lojës, është shumë i madh. Mirëpo tifozët e Vëllaznimit demonstruan madhështinë dhe traditën e tyre të gjatë, duke u vetëpërmbajt dhe duke evituar kështu ndonjë pasojë shumë më të rëndë. Edhe pse, këto sjellje nuk po dinë ose me qëllim nuk po duan t’i çmojnë e respektojnë ata që duhet ta bëjnë këtë (organet e FFK-s), ne, tifozëve u jemi mirënjohës për këtë sjellje.

ëBordi i K.F.”Vëllaznimi”.

(Kosova Sot Online)