Grezda la grumbullimin e Kombëtares, mesfushori: Ju tregoj të vërtetën

  • 02 June 2019 - 13:21
Grezda la grumbullimin e Kombëtares, mesfushori: Ju tregoj të vërtetën

Gjithçka po shkonte në mënyrën më të mirë të mundshme. Atmosfera shumë miqësore, lojtarët të motivuar dhe Kombëtarja po grumbullonte të gjithë asetet e nevojshme për të konsideruar pikënisje të aventurës ndeshjen me Islandën, sikur të mos kishte ndodhur asgjë që nga dita pas kualifikimit në Europian.

Mirëpo, dje është dhënë një lajm i keq. Pasi u njoftua për Ledian Memushajn, i cili duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, dje është zyrtarizuar një tjetër largim. Eros Grezda ka lënë grumbullimin me Kombëtaren dhe nuk do të jetë i gatshëm për dy sfidat e radhës kualifikuese ndaj Islandës dhe Moldavisë.

Gazeta ka pyetur vetë futbollistin në lidhje me shkakun e këtij largimi. Vetë Grezda ka sqaruar: “Kam një problem në aduktorë. Dëmtim për të cilin rrezikoj shumë nëse vazhdoj stërvitjen”. Më tej, në rrjetet sociale, vetë mesfushori me tipare të avancuara ka bërë një urim për shokët e skuadrës, teksa në të njëjtën kohë ka shprehur keqardhjen që nuk do të jetë në dispozicion të ekipit Kombëtar. 

“Më vjen keq të informoj që nuk do të jem gati të ndihmoj skuadrën kombëtare në dy ndeshjet e radhës. Shpresoj dhe besoj të marrim 6 pikë. Suksese çuna!”, ka shkruar Grezda në “Instagram”. Me largimin e Grezdës, për trajnerin Reja pakësohet një alternativë e rëndësishme për të luajtur me skemën 3-5-2. Mesfushori i Rejnxhërsit është shumë i shpejtë, shpërthyes dhe driblues i mirë në situatat një kundër një me rivalët, ndaj edhe do të ishte i rëndësishëm për këto dy sfida.

NJOFTIMI

FSHF e ka bërë njoftimin për largimin e Grezdës si të bëhej fjalë për një skuadër amatore apo sikur të ishte thjesht një seancë e radhës stërvitore. “Ka ndryshime në listën e Kombëtares A për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës në transfertë më 8 qershor dhe Moldavisë në ‘Elbasan Arena’ më 11 qershor. Eros Grezda nuk do të jetë pjesë e skuadrës për dy ndeshjet e radhës, për arsye personale”, ka njoftuar dje zyra për shtyp e institucionit të futbollit. 

Mirëpo, nga vetë vëzhgimet e gazetës gjatë stërvitjeve të Kombëtares gjatë kësaj jave apo edhe burime brenda ekipit Kombëtar, mesfushori i Rejnxhërsit nuk ka shfaqur asnjë shqetësim muskulor. Në këto kushte, mbetet thjesht fjala e lojtarit thënë për gazetën që jep një version për largimin e tij, teksa vetë institucioni i futbollit nuk e ka dhënë një variant zyrtar. Në fakt, në çdo skuadër tjetër përfaqësuese do të kishte një shpjegim për cilëndo arsye të largimit të lojtarit, duke qenë se bëhet fjalë për një lojtar të ekipit përfaqësues në prag të ndeshjeve zyrtare.