Sarri lë të kuptohet se do të shkojë në Juventus

  • 04 June 2019 - 13:55
Sarri lë të kuptohet se do të shkojë në Juventus

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, ka lënë të kuptohet se do të jetë trajneri i ri i Juventusi, me deklaratën e tij të fundit. Ai ka thënë se për italianët është shumë tunduese të kthehesh në shtëpi.

Maurizio Sarri besohet se është favoriti për ta zëvendësuar Massimiliano Allegrin në pozitën e trajnerit të Juventusit. Ish-trajneri i Napolit e sqaroi pse emërimi i mundshëm i tij në Torino nuk është tradhti ndaj Napolit.

“Për ne italianët, tundimi për t’u kthyer në shtëpi është shumë i fuqishëm”, ka thënë Sarri në një intervistë të dhënë për Vanity Fair. 

“Ti ndien se diçka po të mungon. Ishte një vit i rëndë. Unë fillova ta ndiej peshën e shokëve të mi të largët, prindërit e mi të moshuar, të cilët tani shumë rrallë po i takoj”.

“Por, në moshën time, unë marr vetëm vendime profesionale. Napolitanët e dinë dashurinë time për ta”.

“Unë vendosa të shkoja jashtë në vend se ta drejtoja një klub tjetër italian. Ky profesion mund të më drejtojë edhe në rrugë të tjera, marrëdhënia ime me ta nuk do të ndryshojë”.

“Besnikëria ka të bëjë me të dhënit maksimumin sa je aty. Çfarë do të thotë të jesh besnik? Dhe nëse një ditë klubi yt të largon? Çfarë duhet të bësh?  T’i qëndrosh besnik një bashkëshorteje me të cilën je divorcuar?”.

(Kosova Sot Online)