Mali i Zi me 100 telashe e pret Kosovën

  • 05 June 2019 - 14:44
Mali i Zi me 100 telashe e pret Kosovën

Krahas telasheve të shumta, malazezët po ndjejnë frikë nga “Dardanët”.

Kombëtarja e Malit të Zi po zhvillon stërvitje shumë serioze në Podgoricë në prag të ndeshjes kualifikuese për “Euro 2020” që do ta zhvillojë të premten si vendase kundër Kosovës.

Malazezët po e presin me telashe ndeshjen ndaj Kosovës. Ata do të luajnë pa përkrahjen e shikuesve shkaku i një dënimi që ua ka shqiptuar UEFA.

Po ashtu skuadra po përballet me lëndimin e disa futbollistëve dhe nuk dihet ende nëse do të mund të luaj ylli i saj, kapiteni i Atletico Madridit, Stefan Saviç.

Në mungesë eventuale të tij, shiritin e kapitenit mund ta mbajë me shumë gjasë Fatos Beqiraj, i cili do të luajë kundër vendlindjes, Kosovës.

Problemet për Malin e Zi nuk përfundojnë këtu. Fqinjët e kanë nisur keq kampanjën kualifikuese për “Euro 2020”.

Prej dy ndeshjeve të zhvilluara njëherë kanë barazuar dhe njëherë kanë humbur. Kështu që fitorja ndaj Kosovës u duhet jashtëzakonisht shumë për t’i kthyer shpresat e kualifikimit në Evropian.

Express shkruan se krejt këto kanë bërë që malazezët ta presin nën presion psikik ndeshjen me Kosovën, e cila i mundon, për faktin se “Dardanët” kanë potencial mjaft të madh.

“Pa dyshim se ndeshja me Kosovën është ndër më të rëndësishmet për të ardhmen tonë. Kjo ndeshje mund të jetë edhe vendimtare në synimin tonë për t’u kualifikuar në Evropian. Me një fitore ndaj Kosovës do të ishim më afër vendit të dytë në grup, që ishte synimi ynë kryesor prej fillimit të kualifikimeve. Jemi të vetëdijshëm se na pret një sfidë shumë e vështirë. Kosova ka ekip shumë cilësor, kurse ne po përballemi me lëndime dhe nuk do ta kemi përkrahjen e shikuesve. Shpresoj ta arrijmë fitoren që na duhet shumë”, ka thënë Mirko Ivanic, i cili luan për ekipin serb, Crvena Zvezda.

Kurse, mesfushori Marko Jankoviç tha se ekipi e ka analizuar mirë Kombëtaren e Kosovës, për të cilën ka thënë se ka ekip shumë cilësor.

“Nuk e mbaj në mend kur kemi qenë të kompletuar shkaku i lëndimeve të vazhdueshme. Do të luajmë pa shikues dhe kjo është vështirësia tjetër për. E kemi analizuar Kosovën e cila ka ekip shumë cilësor. Por ne jemi përgatitur. Shpresoj të fitojmë”, ka thënë Jankoviç.

Në grup me Kosovën e Malin e Zi janë edhe Anglia, Çekia dhe Bullgaria. 

(Kosova Sot Online)