Dallimi mes vlerës së skuadrës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi

  • 07 qershor 2019 - 12:22
Dallimi mes vlerës së skuadrës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi

“Dardanët” e Bernard Challandes e kanë një sfidë të rëndësishme para vetes. Sonte në orën 20:45, në stadiumin e qytetit të Podgoricës, ata do ta kërkojnë fitoren e parë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Kjo sfidë nuk pritet të jetë edhe aq e lehtë për kosovarët, pasi që Mali i Zi jo vetëm që ka renditje shumë më të mirë në ranglistën botërore të FIFA-s (Mali i Zi në vendin e 51-të në këtë listë, në krahasim me Kosovën, që renditet në pozitën e 127-të), por edhe skuadra e saj ka vlerë më të madhe, shkruan Gazeta Express.

Skuadra e Malit të Zi përbëhet nga 27 futbollistë, të cilët së bashku kanë vlerë prej 74.05 milionë euro, ndërsa në skuadrën e Kosovës janë 25 futbollistë të cilët së bashku kanë vlerë 57.2 milionë euro.

Vlera mesatare e një futbollisti të Kombëtares së Malit të Zi i bie të jetë 2.74 milionë euro, ndërsa ajo e një futbollisti të Kosovës 2.3 milionë.

Megjithatë, ylli i Malit të Zi, Stefan Savic, i cili do të mungojë në ndeshjen kundër Kosovës sonte, e përbën pjesën më të madhe të vlerës së Malit të Zi. Qendëmbrojtësi malazias i Atletico Madridit vlerërsohet me 40 milionë euro, apo 54,2 për qind e vlerës së përgjithshme të skuadrës së Malit të Zi.

Lojtari me vlerën më të madhe në skuadrën e Kosovës është anësori Milot Rashica, i cili shkëlqeu këtë sezon me Ëerder Bremenin në Bundesligës dhe në DFB-Pokal. AI vlerësohet me 20 milionë euro, apo 34,97 për qind të vlerës së përgjithshme të Dardanëve.

Kjo do të jetë edhe hera e parë që këto dy kombëtare po përballen mes vete dhe që të dyja do të jenë të motivuara për të siguruar fitore, pasi që kualifikimin në EURO 2020 mund ta sigurojnë duke e zënë njërën ndër dy vendet e para në Grupin A.

Në këtë grup, përveç Kosovës dhe Malit të Zi garojnë edhe Anglia, Republika Çeke dhe Bullgaria. Përderisa Kosova e ka zhvilluar vetëm një ndeshje deri më tani, Mali i Zi i ka zhvilluar dy. Por, përkundër kësaj, dy Kombëtaret kanë baras pikë të grumbulluara deri më tani, vetëm një.

Renditja në Grupin A

Image

 

Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 edhe nëse nuk e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A, pasi që nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve..

(Kosova Sot Online)