Gjilani me shumë risi

  • 07 June 2019 - 15:51
Gjilani me shumë risi

Pasi kishte qenë shumë afër rënies nga Ipko Superliga në Ligën e Parë të Kosovës gjatë sezonit 2018/19, drejtuesit e Gjilanit kanë vendosur t’i bëjnë disa ndryshime të mëdha në skuadrën e tyre për sezonin e ardhshëm.

Sot, përmes llogarisë zyrtare në rrjetin social Facebook, Gjilani bëri që ditur se ka vendosur ta ndërpresë bashkëpunimin me disa futbollistë, si Fisnik Papuqin, i cili ishte pjesë e skuadrës gjilanase për dy sezone.

“Bëhet fjalë për Fisnik Papuqin i cili mbrojti ngjyrat e klubit tonë prej dy sezoneve, të cilin e falënderojmë për kontributin dhe korrektësinë e treguar gjatë kësaj periudhe kohore, të cilën sa ishte pjesë e klubit tonë”, shkruhet në njoftimin e Gjilanit.

Për më tepër, Gjilani ka bërë të ditur se i ka përfunduar marrëveshjet edhe me disa futbollistë të cilët i kishte transferuar vitin e kaluar në skuadër, si Jefferson Lopes, Wilber Perez, Ansi Nika, Endrien Magani, Vilson Lila, Kledi Koci, Vilfor Hysa, Shpend Asani dhe Semir Hadzibulic,

“Klubi i falënderon futbollistët e lartcekur për kontributin e tyre gjatë këtij udhëtimi të edicionit që e lamë pas dhe ju uron sukses në vazhdimin e karrierës së tyre”, thuhet në njoftimin e klubit.

Përmes këtij postimi, Gjilani ka bërë të ditur se edhe është në bisedime me pjesën tjetër të futbollistëve për të vendosur për të ardhmen e tyre, si dhe është në kërkim të lojtarëve të rinj.

“Vlen të theksohet se drejtuesit e klubit po vazhdojnë negociatat edhe me futbollistë të rinj, ku po punohet për afrime të reja në skuadrën e Gjilanit dhe shumë shpejt pritet të ndodhin edhe zyrtarizime të tjera në kampin kuqebardh”.

(Kosova Sot Online)