Menaxheri i Hysajt: Oferta e Atleticos për shqiptarin e ulët, por kush mund ta refuzojë këtë klub?

  • 10 June 2019 - 15:15
Menaxheri i Hysajt: Oferta e Atleticos për shqiptarin e ulët, por kush mund ta refuzojë këtë klub?

Mario Giuffredi, menaxheri i Elseid Hysajt, ka konfirmuar se Atletico Madridi i ka bërë Napolit ofertë për mbrojtësin shqiptar, të cilën e vlerëson si shumë të ulët.

Giuffredi foli të hënën për Radio CRC për situatën e yllit të Kombëtares së Shqipërisë, i cili do të largohet nga Napoli këtë verë. Për Hysajn interesim kanë shprehur Juventusi dhe Atletico Madridi, me këtë të fundit që ka bërë ofertë për të tashmë.

“Oferta e Atletico Madridit ishte shumë e ulët dhe nuk e pasqyron vlerën e lojtarit. Ishte nën 25 milionë euro, kaq mund të them. Napoli i vë çmim atij jo unë, por Elseidi mund të dëshirojë ta përjetojë një përvojë të re jashtë Italisë dhe kush mund ta refuzojë Atletico Madridin”, shpjegoi ai.

Hysaj përmendet si synim i Juventusit nëse Maurizio Sarri emërohet trajner i klubit torinez.

“Pse Hysaj nuk duhet të shkojë në Juventus? Ai është profesionist. Unë nuk e pranoj përdorimin e fjalës ‘tradhtar’ në futboll. Të gjithë janë profesionistë dhe e bëjnë atë që e vlerësojnë të drejtë për karrierën e tyre”, shtoi menaxheri.

(Kosova Sot Online)