Trajneri i Çekisë: Kosova ekip shumë i fortë dhe produktiv

  • 11 June 2019 - 17:20
Trajneri i Çekisë: Kosova ekip shumë i fortë dhe produktiv

Trajneri i Republikës së Çekisë, Jaroslav Silhavy, është i vetëdijshëm për cilësitë dhe aftësitë e rivalit të vet në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian, Kosovës, para ndeshjes së ardhshme në Prishtinë pas tre muajve.

Duke folur në një konferencë për media pas fitores 3:0 kundër Malit të Zi të hënën në një ndeshje të rrethit të katërt, Silhavy tha se Kosova, të cilën Çekia do ta vizitojë në shtator, është duke luajtur futboll të mirë.

“Kosova ishte në vazon e pestë dhe shih tani po luan shumë mirë”, tha ai kur u pyet për Kosovën dhe fitoren e saj të parë në fushatën kualifikuese për EURO 2020.

Pas dy barazimeve radhazi në dy ndeshjet e parë në debutimin e saj në një fushatë kualifikuese për Kampionat Evropian, Kosova më në fund e arriti fitoren historike duke e mundur Bullgarinë 3:2 në mënyrë dramatike me një gol të vonshëm të Elbasan Rashanit.

Silhavy e sheh kombëtaren dardane si rivale të drejtpërdrejt për vendin e dytë në Grupin A, të cilin e mban skuadra e tij me gjashtë pikë, një më pak se Kosova.

“Ata i kanë pesë pikë dhe nuk kanë asnjë humbje. Ata janë të fortë, ngjashëm si Mali i Zi, por ekip më sulmues dhe më produktiv. Nëse ia dalim atje (në Prishtinë), atëherë do të marrim frymë më lirshëm”, shtoi ai.

Çekia e hapi fushatën kualifikuese me humbje të thellë, pasi u mposht 5:0 nga Anglia. Por, i regjistroi dy fitore në dy ndeshjet pasuese duke e mundur Bullgarinë 2:1 në udhëtim dhe Malin e Zi 3:0 në shtëpi.

Kosova do të jetë nikoqire e Çekisë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë më 7 shtator, në një ndeshje të rundit të pestë të Grupit A kualifikues. 

(Kosova Sot Online)