Trajneri i Shqipërisë i komenton rezultatet e Kosovës

  • 13 June 2019 - 13:49
Trajneri i Shqipërisë i komenton rezultatet e Kosovës

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë U-21, Alban Bushi, e pranon se Kosova ka ekip mjaft të mirë. Kosova U-21 tashmë e kryeson grupin kualifikues për “Euro 2021”, në të cilin bën pjesë edhe Shqipëria U-21, e cila barazoi me Turqinë, të cilën “Dardanët” e mposhtën bindshëm të martë në Prishtinë.

“Kosovën e pashë. Nuk është justifikim, por e kam thënë që terreni në Andorrë nuk ishte për futboll. Pastaj, Kosova ka një ekip të mirë, të fortë. I hapin probleme të gjithëve. Gjithsesi, ne kemi Austrinë, dhe Francën miqësore. E rëndësishme është që të luajmë mirë, pastaj vjen dhe rezultati. Ky është edhe çështje fati”, ka thënë Bushi.

“Në ndeshjen me Uellsin, të parën, luajtëm dobët, kishim mbrojtje të re, por dy raste na u dhanë, shënuam dhe fituam. Ose rasti i Turqisë, mund të shënonim me portën bosh me Imerin. Kosova e shfrytëzoi dhe fitoi. Them që ne kemi çuar 6-7 lojtarë në ekip A. Kur të mbarojë ky sezon, do fitojmë disa lojtarë, 3-4 do jenë gati për Kombëtaren. Po morëm rezultat, akoma më mirë. Besoj se Kosova ka cilësi në ekip, ndoshta ka lojtarë më cilësore se ne, por ka dhe një zemër të madhe. Ata luftojnë gjithë kohës. Në futboll, nëse je i përqendruar, luan me zemër dhe zbaton detyrat, e mposht dhe një kundërshtar si Turqia. Grupi bën atë që të hedh poshtë cilësitë e individëve.”, ka thënë Alban Bushi.

(Kosova Sot Online)