FSHF në panik: U dha premi futbollistëve për ta mposhtur Moldavinë e 171-të në botë!

  • 13 June 2019 - 14:34
FSHF në panik: U dha premi futbollistëve për ta mposhtur Moldavinë e 171-të në botë!

Kombëtarja e Moldavisë konsiderohet si njëra prej atyre shteteve me mungesë rezultatesh në arenën ndërkombëtare. Këtë e konfirmon fakti se moldavët janë në vendin e 171-të në ranglistën botërore dhe vazhdimisht është vërejtur një rënie e tyre.

Shqipëria e mposhti të martën këtë skuadër me rezultat 2:0 në Elbasan, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2021”. Kuqezinjtë hynë në këtë takim pas humbjes në Islandë, e cila kishte ardhur në një kohë kur kuqezinjtë përpiqeshin t’i japin fund një kohe krize.

Rezultatet negative të Kombëtares Shqiptare duket të kenë krijuar panik edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit e cila udhëhiqet nga Armand Duka.

FSHF me gjasë i është frikësuar edhe Moldavisë apo ndonjë dështimi përballë moldavëve, ndonëse kuqezinjtë luanin si vendas. Shtëpia e futbollit shqiptar për ta parandaluar ndonjë katastrofë kishte vendosur t’u jap premi futbollistëve shqiptarë për ta mposhtur ekipin e 171-të në botë, Moldavinë, ndonëse vet Shqipëria është e 62-ta në ranglistën e FIFA-s.

“Panorama Sport” mëson se për fitoren ndaj Moldavisë futbollistët janë shpërblyer me nga 2 mijë euro. Bëhet fjalë për ata titullarë, kurse për rezervistë premitë kanë qenë diç më të ulëta. Sipas gazetës shqiptare, FSHF do t’ua jap nga 2 mijë euro lojtarëve për çdo fitore në shtëpi.

(Kosova Sot Online)