Projekti i Stadiumit Kombëtar të Kosovës prezantohet nesër

  • 13 June 2019 - 15:00
Projekti i Stadiumit Kombëtar të Kosovës prezantohet nesër

Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se nesër do të prezantohet projekti i Stadiumit Kombëtar të Kosovës, pas një takimi mes delegacionit të FFK-së dhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashit.

Përveç stadiumit kombëtar, FFK-ja bën të ditur se në projektet e ministrisë është edhe fillimi i punimeve në gjashtë fushat me barë sintetik, si dhe për rinovimin e stadiumin Olimpik “Adem Jashari”.

Njoftimi i plotë i FFK-së:

Delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës në krye me presidentin Agim Ademi, nënkryetarin Agim Dibrani, anëtarin e Komitetit Ekzekutiv Mirsad Çollakun dhe zv/sekretarin Arianit Ahmeti qëndruan sot për vizitë pune në Prizren, ku u takuan me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe stafin e tij.

Temë e bisedës ishin stadiumet të cilat janë ende në përfundim e sipër si dhe projektet e reja të përbashkëta, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës sportive në vend.

Presidenti Ademi e falënderoi ministrin Gashi për përkrahjen dhe ndihmën që i ka dhënë futbollit, sidomos në përmirësimin e infrastrukturës, që ishte e mangët.

Po ashtu një falënderim të veçantë presidenti ia bëri për Stadiumin Kombëtar, projekt i cili do të prezantohet nesër si dhe për memorandumin e nënshkruar ndërmjet dy institucioneve. Ndërkaq, ministri Gashi e uroj presidentin Ademi për punën e mirë dhe profesionale që po bën në krye të FFK-së si dhe për rezultatet e mira.

Po ashtu, ministri e njoftoi delegacionin e FFK-së se është shpallur fillimi i punimeve për 6 fushat me bari sintetik, projekt ky në partneritet mes MKRS-së, FFK-së dhe komunave, si dhe fillimi i punës për rinovimin e stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, i cili do t’i plotësojë kriteret e kategorisë së 4-t të UEFA.

Me theks të veçantë ministri Gashi përgëzoi futbollistët e futbollistet e ekipeve kombëtare, presidentin Ademi dhe të gjithë futbolldashësit për fillimin e ndërtimit të Stadiumit Kombëtar, duke theksuar se një stadium të tillë e meriton ekipi i Dardanëve, i cili po i jep imazh suksesi vendit dhe krenari e emocion të veçantë tifozëve dhe gjithë kombit.

(Kosova Sot Online)