Përurohet fusha ndihmëse në Shkugëz të Gjakovës

  • 13 June 2019 - 20:44
Përurohet fusha ndihmëse në Shkugëz të Gjakovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në inaugurimin e Fushës Sintetike të Futbollit në fshatin Shkugëz të Gjakovës, projekt i financuar nga Ministria bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Komunën e Gjakovës.

Në këtë fushë, Vëllaznimi pritet të luajë për dy vite, derisa të rinovohet stadiumi i qytetit.

Ministri po ashtu mori pjesë edhe në themelimin e Akademisë së Futbollit “Naim Kryeziu”.

Ministri Gashi tha se bashkëpunimi i mirë mes MKRS-së, FFK-së dhe Komunës ka bërë të mundur realizimin e këtij projekti. Gjithashtu ai e vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe të nevojshme edhe themelimin e Akademisë së Futbollit “Naim Kryeziu.

“Realizimi i projekteve të tilla po bëhet në vazhdën e punëve tona për përmirësimin e infrastrukturës sportive. Sportistët tanë çdo ditë e më shumë po arrijnë rezultate kulminante edhe jashtë vendit kështu që edhe puna jonë për plotësimin e kushteve për të rinjtë e vendit tonë dhe ndërtimin e fushave sintetike nuk do të ndalet me kaq”, theksoi ministri Gashi.


(Kosova Sot Online)