Zbulohet paga e Sarrit në Juventus

  • 14 June 2019 - 11:24
Zbulohet paga e Sarrit në Juventus

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, raportohet se do të nënshkruajë kontratë trevjeçare me Juventusin, në vlerë prej shtatë milionë eurosh pas taksave.

Chelsea pritet ta zyrtarizojë largimin e Maurizio Sarrit të premten dhe Goal.com pretendon se trajnerin po e pret një ofertë me pagë mjaft tunduese në Juventus,

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit vazhdon duke raportuar se bardhezinjtë do të duhet t’ia paguajnë Chelseat vetëm tre milionë euro dëmshpërblim për emërimin e ish-trajnerit të Napolit.

Sarrit do t’i bashkëngjiten në Torino edhe ndihmësit e tij, që i kishte pasur me vete edhe në Chelsea, përfshirë këtu edhe Paolo Bertellin, Luca Gottin dhe Marco Iannin, si dhe ndihmësin e tij në Empoli, Giovanni Martusciello.

Rol në stafin e ndihmësve të Sarrit mund të ketë edhe Andrea Barzagli, i cili së fundi është pensionuar, ndërsa Frank Lampard pritet ta zëvendësojë Sarrin në Stamford Bridge.

Sarri u emërua trajner i Chelseat në korrik të vitit 2018, kur u largua nga Napoli. Ai i drejtoi londinezët sezonin e kaluar, kur u renditën në pozitën e tretë në tabelën e Premierligës dhe e fituan titullin e Ligës së Evropës.

Përkundër që në korrik nënshkroi kontratë trevjeçare, Sarri do të bëhet trajneri i nëntë i cili largohet nga Chelsea para se t’i përfundojë kontrata, nën drejtimin e pronarit Roman Abramovich.

Gjatë këtij sezoni debutues të 60-vjeçarit italian në Stamford Bridge kishte vazhdimisht spekulime për të ardhmen e tij në pozitën e trajnerit, pasi që tifozët e Chelseat shpeshherë e shprehën pakënaqësinë me taktikat dhe zgjedhjet e skuadrës së Sarrit.

Njëra ndër momentet më të këqija të sezonit 2018/19 ishte në shkurt, kur portieri Kepa Arrizabalaga e sfidoi autoritetin e trajnerit duke refuzuar të zëvendësohet në finalen e Carabapo Cup në Wembley, pak para se Chelsea të mposhtej në penallti nga Manchester City.

Por, Sarri arriti ta fitojë trofeun e tij të parë si trajner me fitoren 4:1 kundër Arsenalit në maj, në finale të Ligës së Evropës, dhe pas ndeshjes tha se e meritonte të qëndronte me klubin.

Chelsea për momentin e ka të ndaluar të transferojë futbollistë për dy afatet e ardhshme kalimtare për shkak të dënimit nga FIFA. Chelsea e ka apeluar këtë vendim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Ylli i skuadrës së tyre, Eden Hazard, u transferua në Real Madrid për një shumë që mund të kapë vlerat 150 milionë funte.

Chelsea nuk ka kaluar që dënimi i FIFA-s të pezullohet deri sa CAS-i ta marrë vendimin përfundimtar, duke bërë kështu që përforcimi i tyre i vetëm për sezonin tjetër të jetë sulmuesi amerikan, Christian Pulisic, të cilin e blenë për 58 milionë funte nga Borussia Dortmundi në janar. Ai e kaloi pjesën e dytë të sezonit 2018/19 i huazuar në Dortmund.

Juventusi ka mbetur pa trajner pasi që Massimiliano Allegri u largua në fund të sezonit të kaluar, pasi e kishte fituar titullin e ligës italiane në të pestë sezonet e tij me bardhezinjtë, që nga viti 2014.

(Kosova Sot Online )