Agjenti i Higuain: “Ka kontratë me Juventusin dhe dëshiron të qëndrojë”

  • 14 June 2019 - 18:09
Agjenti i Higuain: “Ka kontratë me Juventusin dhe dëshiron të qëndrojë”

Higuain mund të rikthehet në Juventusin sezonin e ardhshëm.Për dy sezone në Torino, Higuain ka shënuar 55 gola dhe ka dhuruar edhe 12 asiste.

Kështu ka lënë të kuptohet agjenti dhe vëllai i Gonzalo Higuain, sipas të cilit, sulmuesi dëshiron ta përfundojë karrierën te Juventusi dhe nuk dëshiron të luajë më për një tjetër klub në Itali. Higuain u bë blerja më e shtrenjtë në histori të Juventusit në vitin 2016, kur kaloi nga Napoli te “Zonja e Vjetër” për 90 milionë euro dhe për dy sezone, shënoi 55 gola.

Por, me ardhjen e Cristiano Ronaldos, Higuain u desh të largohet. Fillimisht u huazua te Milani e më pas në Angli te Chelsea, me kërkesë të Maurizio Sarrit, i cili e do në Torino nëse merr drejtimin e Juventusit. Higuain kërkohet nga Roma, si një mundësi shkëmbimi me Kostas Manolas, por agjenti i lojtarit thotë se s’do të ndodhë diçka e tillë.

“Jam në Buenos Aires dhe Gonzalo është këtu me gruan dhe vajzën, ai është në pushime”, tha Nicolas për Radio Marte. “Duhet të qartësoj që s’kemi folur me askënd. Vëllai im ka kontratë me Juventusin. Gonzalo dëshiron të respektojë kontratën dhe të qëndrojë në Juve edhe dy vite”.

“Roma? Ai ka bërë paraqitje të mira me Juventusin, nuk është zgjidhje që ai të luaj për një tjetër ekip në Itali. Nuk dua të tregoj mosrespekt për askënd, por nëse Gonzalo luan në Itali sërish do të jetë vetëm për Juventusin. Është i përkushtuar ta përfundojë karrierën te Juve”.

Nicolas është pyetur nëse argjentinasi mund t’i ribashkohet klubit të parë, River Plate. “Mendoj se është ende herët sepse Gonzalo është 31-vjeçar. Ai është pushime, kur t’i mbushë bateritë, do të jetë mjaftueshëm i mirë për Juventusin”.

(Kosova Sot Online)