Trajneri i Belgjikës: Lukaku duhet të largohet nga Man Unitedi

  • 18 June 2019 - 11:43
Trajneri i Belgjikës: Lukaku duhet të largohet nga Man Unitedi

Trajneri i ekipit kombëtar të Belgjikës, Roberto Martinez, beson se sulmuesi belg, Romelu Lukaku, duhet të largohet nga klubi i tij, Manchester Unitedi.

Romelu Lukaku, 26-vjeçar, iu bashkua Manchester Unitedit nga Evertoni për 75 milionë funte në korrik të vitit 2017. Që nga atëherë, ai i ka shënuar 42 në 96 ndeshje të zhvilluara.

Golashënuesi më i mirë në histori të Belgjikës ka qenë i lidhur me një transferim të mundshëm larg Old Traffordit gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, pasi që trajneri i ri i “Djajve të kuq”, Ole Gunnar Solskjaer, preferon të luajë me futbollistë të tjerë në fazën e sulmit.

“Është e rëndësishme që Romelu ta gjejë klubin e duhur”, ka thënë Martinez në një intervistë për të përditshmen belge, Het Laatste Nieuws.

“Do të ishte një gjë e mirë për të dy palët e përfshira”.

Martinez, i cili ishte trajner i Lukakus edhe gjatë kohës së tij në Everton edhe tani te ekipi kombëtar, shtoi: “Është e qartë se ai duhet të largohet nga Manchester Unitedi”.

Lukaku spekulohet se do ta vazhdojë karrierën e tij me Interin në Serie A. Sulmuesi belg e kishte rrëfyer dashurinë e tij për ligën italiane disa muaj më parë, mirëpo kontrata e tij me Manchester Unitedin është e vlefshme deri në vitin 2022.

26-vjeçari i shënoi 15 gola në 45 ndeshje gjatë sezonit të kaluar, mirëpo Solskjaer preferonte të luante me të riun Marcus Rashford në pozitën e qendërsulmuesit.

(Kosova Sot Online)