Milani dhe Interi pajtohen për San Siron e ri

  • 21 June 2019 - 11:52
Milani dhe Interi pajtohen për San Siron e ri

Mediat italiane raportojnë se Milani dhe Interi kanë arritur marrëveshje për ndërtimin e një stadiumi të ri, i cili do t’u kushtojë atyre 700 milionë euro dhe punimet priten të përfundohen para vitit 2022.

Sipas La Repubblicas, ideja e rinovimit të San Siros aktual është lënë anash sepse që të dyja klubet e preferojnë ta nisin një projekt të ri së bashku, ku përfshihet edhe rinovimi i zonës rreth stadiumit.

Gazeta italiane sqaron se i gjithë projekti t’u kushtojë të dyja klubeve rreth 700 milionë euro dhe rivalët e qytetit shpresojnë se stadiumi do të jetë gati për fillimin e sezonit 2022/23.

Për më tepër, stadiumi do të ndërtohet afër San Siros ekzistues, pjesërisht nën nivelin e rrugës  për ta limituar ndikimin në pamje për lagjet rrethuese.

Megjithatë, La Repubblica paralajmëron se Milani dhe Interi ende nuk kanë vendosur se çfarë do të bëhet me vendin ku ndodhet San Siro tani, pasi të prishet ai stadium.

Për më tepër, miratimi për këtë projekt nga Komuna e Milanos nuk do të jetë proces aspak i thjeshtë pasi që kryetari i komunës, Beppe Sala, veçse ka paralajmëruar se asambleja e tij nuk dëshiron ta humbë pronësinë e San Siros. 

(Kosova Sot Online)