Milani e zhgënjen Barcelonën

  • 21 June 2019 - 14:26
Milani e zhgënjen Barcelonën

Milani e ka paralajmëruar Barcelonën të mos bëjë ofertë për ta transferuar qendërmbrojtësin dhe kapitenin e kuqezinjve, Alessio Romagnolin, pasi që katalonasit po bëheshin gati të bënin ofertë në vlerë prej 40 milionë eurosh.

Sipas mediumit të madh italian, Tuttosport, Barcelona ishte e gatshëm t’ia ofrojë Milanit edhe ndonjë futbollist të vetin në shkëmbim për Alessio Romagnolin.

Interesimi i Barcelonës për qendërmbrojtësin italian vjen pas raportimeve se transferimi i Matthijs de Ligtit në Katalonjë ka dështuar dhe drejtuesit e Barcelonës u detyruan ta gjejnë një tjetër futbollist për ta përforcuar pozitën e qendërmbrojtësit për sezonin tjetër.

Megjithatë, Tuttosport shton se kuqezinjtë ia mbyllën derën menjëherë katalonasve, duke e përshkruar mundësinë e shitjes të Romagnolit si “absolutisht të pamundur”.

24-vjeçari do ta nisë sezonin e tij të pestë në San Siro së shpejti dhe kontrata e tij me Milanin është e vlefshme deri në vitin 2022. 

(Kosova Sot Online)