Paralajmëron trajneri i Katarit: S’kemi ardhur këtu për të bërë selfie me Messin

  • 23 June 2019 - 14:03
Paralajmëron trajneri i Katarit: S’kemi ardhur këtu për të bërë selfie me Messin

Felix Sanchez ka thënë se Katari nuk ka ardhur në Kupën e Amerikës për të bërë selfie me Lionel Messin, para ndeshjes vendimtare mes këtyre dy kombëtarëve për një vend në çerekfinale.

Katari dhe Argjentina – finalisti i kësaj gare më 2015 dhe 2016 – do të takohen në Porto Alegre sonte në orën 21:00, për një vend në çerekfinale.

Kampioni i Kupës së Azisë dhe nikoqiri i Kupës së Botës 2022, Katari e ka një pikë nga dy ndeshje dhe renditen një pozitë më mirë se Argjentina falë goldallimit në Grupin B, e cila është pozitë e mjaftueshme për të kaluar në fazën e eliminimit direkt.

Presioni është mbi Messin dhe Argjentinën për ta shmangur eliminimin qysh në fazën grupore.

Trajneri i Katarit, Felix Sanchez, ka këmbëngulur se ekipi i tij nuk do të shpërqendrohet nga fakti se përballë do ta ketë pesë herë fituesin e Topit të Artë.

“Është e vërtetë se ne nuk jemi shumë të njohur në Amerikën Jugore, por ne kemi lojtarë super profesionistë dhe kemi ardhur këtu për të garuar, jo për të bërë fotografi me Messin”, tha Sanchez.

“Ata janë favoritë, por ne jemi të obliguar të fitojmë. Do të tentojmë të garojnë ndaj një ekipi që e ka lojtarin më të mirë në botë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)