Messi kërkon që Argjentina ta ndërrojë fytyrën në Kupën e Amerikës

  • 24 June 2019 - 10:38
Messi kërkon që Argjentina ta ndërrojë fytyrën në Kupën e Amerikës

Lionel Messi ka thënë se “një tjetër Copa starton tani” për Argjentinën pas kualifikimit në çerekfinale të Kupës së Amerikës.

Pasi e nisi me humbje nga Kolumbia dhe vetëm barazim me Paraguain, Albiceleste, në krye me Lionel Messin, ishin në rrezik për t’u eliminuar nga Copa America që në fazën e grupeve.

Por, ata fituan 2-0 sfidën e fundit kundër Katarit dhe përfunduan të dytit në grup falë fitores 1-0 të Kolumbisë ndaj Paraguait.

Pas ndeshjes, Messi ka kërkuar që Argjentina të ndërrojë fytyrën për fazën eliminuese, ëndrra e të cilit është t’i shkojë garës deri në fund dhe të fitojë trofeun e shumëkërkuar me përfaqësuesen.

“E rëndësishme ka qenë fitorja, për të vazhduar në Kupën e Amerikës, për të kaluar grupet”, u shpreh Messi.

“Kjo do të jetë një shtytje e madhe për atë që vjen… një tjetër Copa nis tani”.

“Kjo fitore duhet të na forcojë dhe të na rrisë si ekip”. 

(Kosova Sot Online)