Juventusi pranë finalizimit me Rabiot, por larg De Ligt

  • 25 June 2019 - 08:24
Juventusi pranë finalizimit me Rabiot, por larg De Ligt

Adrien Rabiot pritet ta finalizojë kalimin në Juventus gjatë ditës së sotme, por jo edhe Matthijs de Ligt, i cili megjithatë pritet t’i bashkohet Barcelonës, sipas mediave katalonase.

Sipas uebsajtit të Gianluca Di Marzios, Rabiot do të bëhet lojtar i Juventusit zyrtarisht më 1 korrik, një ditë pasi t’i mbarojë kontrata me Paris Saint-Germainin.

Ai do të bëhet mesfushori i dytë që i bashkohet Juves si lojtar i lirë këtë verë, pas atij uellsian, Aaron Ramsey.

Ndërkohë, Mundo Deportivo në Spanjë raporton se kalimi i qendërmbrojtësit të shumëkërkuar De Ligt në Barcelonë është ende i mundur.

Juve u fut papritmas në garë për mbrojtësin e Ajaxit duke mbajtur bisedime me agjentin e tij, Mino Raiola, për blerjen e mundshme të tij për 70 milionë euro.

Në anën tjetër, Sky Sport Italia raporton se oferta e bardhezinjve për pagë vjetore 7.5 milionë euro plus bonuse, është shumë më e vogël sesa kërkesa e adoleshentit. 

(Kosova Sot Online)