Flo Bojaj: Refugjati kosovar që synon ta përfaqësojë atdheun kundër Anglisë

  • 27 June 2019 - 11:07
Flo Bojaj: Refugjati kosovar që synon ta përfaqësojë atdheun kundër Anglisë

Florent Bojaj, i njohur si Flo, pati një fillim të vështirë kur erdhi në këtë botë, sepse si fëmije i vogël u detyrua ta braktisë atdheun e vet, Kosovën, për shkak të luftës, megjithatë Anglia i ofroi atij strehën që familja e tij e kishte kërkuar. Tani, ai dëshiron të rikthehet në fillim dhe të luajë për Kosovën kundër Anglisë në një ndeshje kualifikuese në Southampton.

Bashkë me prindërit e tij, Bojaj kishte udhëtuar drejt Britanisë së Madhe për t’i ikur luftës në atdhe, ku e nisi karrierën si futbollist dhe kaloi nëpër disa klube britanike para se të transferohej te Kf Etar, në Bullgari, ku luan aktualisht.

Në një intervistë për ITV, Bojaj ka thënë: “Ne shkuam në Angli si refugjatë për shkak të luftës. Ikëm nga vendi për t’i shpëtuar rrezikut dhe Anglia ishte vendi ynë fatlum. Ka qenë shumë vështirë për të ikur nga vendi (Kosova), ne u futem vjedhurazi në Angli përmes një kamioni kur nëna ime ishte shtatzënë”.

Lehtësimi i ndier pas arritjes në Angli kishte ndikim afatshkurtër dhe afatgjatë në Bojajn, me futbollin që i ka ndihmuar t’i përshtatet jetës në rrethanat e reja.

“(Anglia) është vendi më i mirë për të luajtur futboll në gjithë botën. Ka qenë madhështore të luaja futboll në oborrin e shtëpisë si fëmijë. Kur u zhvendosem në Borehamwood, gjithmonë luaja vetëm futboll”, theksoi ai.

Bojajt iu desh të priste deri në moshën e adoleshencës për t’u thirrur nga një klub profesional, që ishte befasi për sulmuesin e rritur në Herrfordshire.

“Unë po luaja në kolegj dhe një agjent erdhi për ta vëzhguar një futbollist tjetër, por më pa mua, dhe pas ndeshjes më kontaktoi dhe më pyeti nëse isha i interesuar për të shkuar në prova. Fillimisht shkova në prova në Crystal Palace për tri javë dhe më ofruan kontratë gjashtëmujore, por agjenti më tha se më mirë do të ishte sikur të shkoja në Huddersfield. Shkova atje për rreth një muaj dhe nënshkrova kontratë si student. Nga një hiç u bëra student (futbolli) në Huddersfield”, tregoi ai.

Edhe pse ishte ëndërr e bërë realitet që ishte pjesë e një klubi elitar si Huddersfield, Bojaj u përball me probleme në Yorkshire.

“Ka qenë shumë e vështirë për t’u rehatuar aty. Më mungonte shumë shtëpia në fillim dhe ishte e vështirë. Por thosha me vete se këtë nuk po e bëja veç për vete por edhe për familjen dhe dal ngadalë gjërat u përmirësuan dhe bëra miq e nuk më mungonte shtëpia më. Ia ka vlejtur edhe pse ishte shumë e vështirë për shumë kohë të gjatë, sepse shumë njerëz do të hiqnin dorë. Por, debutova dhe ndihesha seç herë e më mirë”, shtoi ai.

Pas debutimit të tij, ai u dërgua në huazim në Kilmarnoch dhe Newport County ku nuk iu dha rasti të shkëlqejë.

Pasi u lirua përfundimisht nga Huddersfield pasi i kishte bërë 10 paraqitje dhe e kishte shënuar një gol, Bojaj përfundoi në klube të niveleve të ulëta si Welling United dhe pastaj në Walton&Hersham në ligë amatore, në përpjekje për ta rifituar dashurinë për futbollin.

“Kur shkova në Welling, stili i lojës më goditi fort, sepse isha mësuar të luaja në nivel profesional dhe pastaj rashë kaq poshtë: nga Huddersfieldi ku e mbaja topin, në Welling ku më duhej vetëm ta godisja atë më kokë tërë ndeshjen”, shpjegoi ai.

Bojaj e kishte njoftuar agjentin se dëshironte të largohej nga Welling në kërkim të një klubi tjetër. Ai u transferua në Fc Pirin në Etar Veliko Tarnovo, ligën elitare bullgare. Por, problemet me pagesat bënë që kosovari të largohej edhe nga aty.

Ai iu bashkua Etarit në fund të sezonit në vend se të rikthehej në Angli, duke shpresuar se qëndrimi në Bullgari do të mundë t’i ofronte atij më shumë mirënjohje.

“Pata mundësinë të shkoj në League Two (niveli i katërt i futbollit anglez) në Oldham Athletic pasi atje është trajneri im nga koha në Huddersfield, Frankie Bunn. Ai më kërkoi të shkoja atje dhe ta dëshmoja formën time para se të më ofronte kontratë, por klubi bullgar më ofroi kontratë dhe mendova se nëse do të shkoja atje dhe gjërat do të shkonin keq, atëherë nuk do ta kisha më ofertën bullgare dhe do të ngecja”, shpjegoi ai.

Si adoleshent, Bojaj e përfaqësoi ekipin kombëtar U17 të Shqipërisë, duke i regjistruar tri paraqitje. Tani, ai e ëndërron ekipin kombëtar senior të Kosovës.

Bojaj planifikon t’ia dalë të luajë për Kosovën, vendin e lindjes, kundër Anglisë në ndeshjen e Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020 në shtator.

“Ndër synimet e mia tani është të marr ftesë nga Kosova. Është shumë e vështirë ama. Së fundmi e kam marrë pasaportën e Kosovës dhe agjenti im është duke folur me disa persona nga Federata  Kosovës sepse më kanë vëzhguar në disa ndeshje. Ata kanë thënë se do të më kenë parasysh. Një ditë do të luaj për Kosovën 100%”, këmbënguli Bojaj.

Bojaj nuk frikohet për të rrezikuar jashtë vendit por rikthimi në Angli për ta përfaqësuar Kosovën në stadiumin St Mary’s në shtator do ta rikthente atë në fillimet e tij.

(Kosova Sot Online)