Shumë shpejt Paolo Maldini mund të vijë në Kosovë

  • 01 July 2019 - 12:51
Shumë shpejt Paolo Maldini mund të vijë në Kosovë

Pas brazilianit Ronaldos, Lilian Thuramit, Alain Giresses, Franz Beckenbauerit, Franco Baresit, Zvonomir Bobanit, Brian Laudrupit, Lothar Matthausit, në Kosovë shumë shpejt mund të vjen edhe një tjetër legjendë e futbollit botëror. Bëhet fjalë për ish futbollistin e famshëm të Kombëtares së Italisë dhe Milanit, Paolo Maldini.

Ish mbrojtësi i famshëm, i cili tani e mban postin e drejtorit teknik te kampioni i shtatëfishtë i Evropës, pas disa ditësh mund të vjen në Prishtinë.

Vizita e tij e planifikuar ndërlidhet me ndeshjen ekzibicionale që do të zhvillohet më 10 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet Feronikelit dhe Milanit, e organizuar dhe e konfirmuar nga kompania e Agron Selimit, “As-Art & Event”. 

Media ka mësuar se “As-Art & Event” po e përgatitë ardhjen e Maldinit në Kosovë, ndërsa në ditët në vijim pritet të mësohet përgjigjja e ish kapitenit të Milanit.

Përpjekja për ta sjell Maldinin në Prishtinë po bëhet për ta konfirmuar dhe për t’i bërë marketing ndeshjes atraktive ndërmjet Feronikelit dhe Milanit.

Kjo nuk është përjashtuar as nga vet Selimi, i cili në një prononcim ka treguar se një ekip kosovar nga kompania e tij do të shkojë shumë shpejt në Milano për t’i kryer disa punë që kanë të bëjnë me marketing dhe marrëdhënie me opinionin me drejtues dhe futbollistë të Milanit.

“Krejt çka mund të them tash është se Milani më 10 gusht do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ne po punojmë shumë për organizimin sa më të mirë këtë ndeshje. Komapnia jonë ka përvojë me organizimin e ndeshjeve të mëdha besoj se gjithçka do të shkojë perfekt”, tha Selimi.

Nëse Maldini vjen në Prishtinë, ai do të jetë legjenda e tretë e Milnait që zbret në Prishtinë. Para tij kishte ardhur Franco Baresi dhe Zvonomir Bobani.

(Kosova Sot Online)