Braziliani Ronaldo do të kishte kushtuar 433 milionë euro sot

  • 02 July 2019 - 09:53
Braziliani Ronaldo do të kishte kushtuar 433 milionë euro sot

Transferimi i legjendës braziliane, Ronaldo, nga Barcelona në Inter në vitin 1997 do të ishte transferimi më i shtrenjtë në histori të futbollit nëse merret parasysh edhe inflacioni. Në tregun e sotshëm, ai do të kishte kushtuar 433 milionë euro.

Ish-sulmuesi legjendar e kompletoi transferimin e tij nga Spanja në Itali për një shumë prej 28 milionë eurosh, që në atë e theu rekordin botëror.

Tani, sipas një studimi të realizuar nga “Play Ratings”, ky transferim i para 22 vjetëve do të kishte qenë më i shtrenjti në botë nëse do të ishte bërë në tregun e sotshëm, për shkak të fryrjes së çmimeve të futbollistëve. 

Ronaldo ishte një sulmues i jashtëzakonshme dhe ai i shënoi 47 gola në 49 ndeshjet e tij në Camp Nou gjatë sezonit 1996/97. Ai pastaj i regjistroi 59 gola në 98 ndeshje gjatë periudhës pesëvjeçare me Interin.

Transferimi i Michel Platinit nga Saint-Ettiene në Juventus, në vitin 1998, do të ishte transferimi i dytë më i shtrenjtë në histori në tregun e sotshëm, pasi që ai do të kushtonte 334 milionë euro.

Aktualisht, lojtari më i shtrenjtë në histori të futbollit është braziliani Neymar, për të cilin Paris Saint-Germaini pagoi 222 milionë euro për ta transferuar nga Barcelona gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2017.

Megjithatë, nëse merret parasysh inflacioni në tregun e futbollistëve me kalimin e viteve, ai do të ishte lojtari i pestë më i shtrenjtë në botë.

(Kosova Sot Online)