Talenti i Dortmundit pensionohet në moshën 21-vjeçare

  • 02 July 2019 - 11:21
Talenti i Dortmundit pensionohet në moshën 21-vjeçare

Talenti i ri i Borussia Dortmundit, Dario Scuderi, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist qysh në moshën 21-vjeçare, pasi që ai nuk dëshiron të rrezikojë ta pësojë edhe ndonjë lëndim tjetër serioz.

Para tre vjetëve, Dario Scuderi e kishte thyer këmbën e tij përderisa ishte duke luajtur në një ndeshje kundër Legia Warsaw në Ligën e të Rinjve të UEFA-s. Atëherë dukej se karriera e tij kishte marrë fund.

Kirurgu i Scuderit, profesor Michael Strobel, e përshkroi lëndimin e futbollistin si më të keqin të imagjinueshëm dhe italianit iu tha se nuk do të mundë të luante kurrë më futboll. 

“Ishte lëndimi më i keq që mund ta imagjinoni. Pothuajse gjithçka e kishte të këputur: ligamentet, muskujt dhe gjithçka tjetër”, kishte thënë në atë kohë Strobel.

Pas një rruge të gjatë drejt rikuperimit, ku u përfshinë nëntë operacione dhe rreth 700 ditë jashtë fushës së vlertë, Scuderi më në fund e përjetoi ndjenjën e të qenit futbollist, pasi u kthye në fushë me fanellën e Dortmundit në gusht të vitit 2018.

Por, përkundër rikuperimit të tij të jashtëzakonshëm, Scuderi u detyrua t’i japë fund ëndrrës së tij për të qenë futbollist. Megjithatë, ai do të vazhdojë të jetë i përfshirë edhe më tutje me Dortmundin.

“Nuk ishte vendim i lehtë, të luaj futboll ka qenë gjithmonë ëndrra ime e madhe dhe unë kam dhënë gjithçka për këtë ëndërr. Unë luftova dhe pata oferta për të vazhduar të luaj, por Dortmundi është familja ime dhe unë po e pres me qejf projektin e ri”, u shpreh Scuderi.

(Kosova Sot Online)