FFK-ja e ngushëllon familjen Ismaili: Vdekja e Florijanës i ka shkaktuar dhimbje gjithë Kosovës

  • 02 July 2019 - 20:56
FFK-ja e ngushëllon familjen Ismaili: Vdekja e Florijanës i ka shkaktuar dhimbje gjithë Kosovës

Federata e Futbollit të Kosovës i ka ofruar ngushëllime familjes së familjes dhe të afërmeve të Florijana Ismailit, futbollistes shqiptare të Zvicrës e cila u gjet sot e vdekur në thellësi të një liqeni italian, duke thënë se 24-vjeçarja do të mbahet mend si një futbolliste e nivelit botëror.

Trupi i pajetë i futbollistes shqiptare të Zvicrës, Florijana Ismailit, u gjet dhe u tërhoq sot nga Liqeni Como në Itali, dy ditë pasi 24-vjeçarja u raportua e zhdukur nga mikja e saj.

Ajo u gjet në një thellësi prej 204 metrave, jo larg vendit ku ishte zhdukur në Liqenin Como në Itali. 24-vjeçarja me origjinë shqiptare ishte futur në ujë në liqenin Como të shtunën pasdite duke mos u rishfaqur më.

Presidenti i organit qeverisës së futboliit të Kosovës, Agim Ademi, tha se e ka marrë me pikëllim të thellë lajmin për vdekjen e Ismailit, në një letër ngushëllimi dërguar familjes së saj.

“E nderuara familje e Florijana Ismailit! Me trishtim të thellë e mora lajmin për gjetjen e trupit të pajetë të më të dashurës suaj, futbollistes me shumë vlera, Florijanës! Lajmi për zhdukjen e vajzës suaj na ka tronditur të gjithëve në Kosovë dhe të gjithë luteshim që ajo ta kalojë këtë sprovë, por ja që tani fatkeqësisht jemi të detyruar që të lutemi që shpirti i saj të prehet në paqe”, thuhet në letrën e ngushëllimit të Ademit.

Ai ka thënë se Florijana gjithmonë do të mbahet në mend si një vajzë të përkushtuar dhe si një futbolliste të nivelit botëror

“Në këto momente të vështira për Ju, në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju lutem që të pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e  më të dashurës suaj. Ikja e hershme Florijanës, e cila la gjurmë në futbollin zviceran dhe e përfaqësojë kombin shqiptar në mënyrën më të mirë të mundshme si në klubin e saj Young Boys ashtu edhe në Kombëtaren e Zvicrës, ka shkaktuar dhembje të madhe tek mbarë opinioni në Kosovë. Gjithmonë do ta kujtojmë si një vajzë të përkushtuar dhe si një futbolliste të nivelit botëror. U prehtë në paqe shpirti i saj!”.


(Kosova Sot Online)