Petkoviq me deklaratë emocionuese për Florijana Ismailin 

  • 03 July 2019 - 10:53
Petkoviq me deklaratë emocionuese për Florijana Ismailin 

Një yll i futbollit shqiptar dhe zviceran është shuar. Florijana Ismaili ka humbur jetën në liqenin Como në Lombardi të Italisë, shkruan Insporti. Pasditen e të martës është gjetur trupi i pajetë i futbollistes shqiptare, Florijana Ismaili, e cila ishte zhdukur të shtunën në Liqenin Como në Itali.

Futbollistja 24-vjeçarje dhe një shoqe e saja kishin marrë një barkë me qira dhe kishin ankoruar rreth 700 metra në brendi të liqenit, me ç’rast fillimisht ishin rrezitur. 

Më pas, mesfushorja ofensive e Young Boys ishte hedhur në ujë për t’u freskuar dhe nuk ka dalë më. Kolegia e saj i ka thirrur shërbimet emergjente, të cilat pas kërkimeve katërditore dhe me përfshirjen e një roboti të posaçëm kanë arritur që ta gjejnë trupin e pajetë të lojtares.

E gjithë bota e sportit është zi pas lajmit se Florijana nuk është gjetur e gjallë, duke shprehur ngushëllimet e tyre nëpërmjet rrjeteve sociale.I pikëlluar për humbjen e Florijanës është edhe përzgjedhësi i kombëtares së Zvicrës, Vladimir Petkoviq.

“Në emër të ekipit tonë, trajnerëve, lojtarëve dhe stafit, u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmeve të Florijanës.  Ne të gjithë kemi menduar për të në ditët e fundit, dhe ne do të jemi edhe më të fortë tani dhe në ditët që do të vijnë.  Në qiell ka dalë një yll. Ne jemi shumë, shumë të trishtuar”, ka thënë Petkoviq.

(Kosova Sot Online)