“Neymari e ka humbur dashurinë për futbollin, ai nuk duhet ta dëgjojë babanë e vet”

  • 03 July 2019 - 12:39
“Neymari e ka humbur dashurinë për futbollin, ai nuk duhet ta dëgjojë babanë e vet”

Eduardo Musa, i cili punonte me Neymarin gjatë viteve të para të karrierës së tij në Brazil,  e ka paralajmëruar yllin e PSG-së se reputacioni i tij do të vazhdojë të bie nëse i dëgjon këshillat e babait të vet, Neymar Snr.

Ylli i Paris Saint-Germainit e ka Neymar Snr. të punësuar si menaxher të vetin. 54-vjeçari luajti rol kyç në marrëveshjet që e dërguan djalin e tij nga Santosi në Barcelonë e pastaj në Paris Saint-Germain.

Neymari është sërish në qendër të vëmendjes pasi që tani po spekulohet për një kthim të tij në Camp Nou, dy vjet pasi kaloi nga Barcelona në PSG.

Fati i keq me lëndime ka bërë që ai ta luajë vetëm një ndeshje të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve për PSG-në, ndërsa i ka humbur edhe ndeshjet e fundit të sezonit 2018/19 të Ligue 1 pasi që u dënua për shkak se e grushtoi një tifoz pas disfatës kundër Rennes në finalen e Kupës së Francës në prill.

Neymari përballet edhe me pezullim në tri ndeshjet e radhës në garat evropiane për shkak të deklaratave të tij pas eliminimit të PSG-së në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit.

Këto incidente kanë bërë që Neymari ta ketë një reputacion të keq në mesin e shumë tifozëve të futbollit. Eduaro Musa e ka shikuar brazilian nga larg gjatë viteve të fundit dhe ai beson se fajtor për gjithçka që ka ndodhur është stafi i Neymarit, i drejtuar nga babai i tij.

“Mendoj se ai nuk i bën më gjërat me zemër, ky është problemi. Neymari dhe stafi janë në një konflikt permanent tani. Ata nuk e pranojnë asnjë kritikë. Tani ai po e korr atë që e ka mbjellë tash e shumë kohë”, ka thënë Musa, i cili më herët njihej si engjëlli mbrojtës i Neymarit. 

“Neymar është besnik ndaj atyre që kanë qenë aty prej fillimit dhe veçanërisht ndaj babait të tij, por këto gjëra e lëndojnë atë. Neymar Snr nuk mund të sillet sikur të jetë ndonjë superprofesionist që e menaxhon çdo aspekt të karrierës së djalit të vet. Ai nuk është i përgatitur për këtë gjë”.

“Neymari është një djalë i mirë, një djalë zemërgjerë dhe i adhurueshëm. Por, imazhi i tij që paraqitet në media është plotësisht i ndryshëm dhe pikërisht babai i tij është përgjegjës për këtë gjë”.

“Unë do t’i thosha Neymarin ta harrojë imazhin e tij, t’i lë anash obligimet komerciale dhe të heqë dorë nga ideja për t’u bërë i pari. Ai duhet të kthehet te ai që ishte më parë. Nuk e di se sa e do futbollin tani. Kur isha me të, ai e donte shumë futbollit”.

“Sot, të gjitha këto incidente kontroverse kanë ndikuar te dashuria e tij për futbollin. Vetëm zemra e tij mund ta japë një përgjigje për këtë gjë. Dashuria e tij për futbollin është çelësi. Ai nuk flet më për sport, vetëm për biznes. Ai duhet ta rifitojë dashurinë për këtë sport dhe ai mund ta bëjë një gjë të tillë”.

(Kosova Sot Online)