Lampardi kthehet në Chelsea: Momentet e tij më të mira në Stamford Bridge

  • 04 July 2019 - 10:47
Lampardi kthehet në Chelsea: Momentet e tij më të mira në Stamford Bridge

Pasi Frank Lampard u emërua në pozitën e trajnerit të Chelseat, Sky Sports i ka zgjedhur pesë momentet më të mira në karrierën e tij me “Blues”.

Ish-mesfushorit i është dhënë kontratë trevjeçare në Stamford Bridge, pasi sezonin e kaluar ai arriti me Derby Countyt deri në finale të play-offs për promovim në Premierligë nga Championshipi, niveli i dytë i futbollit në Angli, qysh në sezonin e tij të parë si trajner.

Prej titullit të parë të Premierligës në vitin 2005 deri te emërimi në pozitën e trajnerit 14 vjet më vonë, këto janë pesë momentet më të mira të Lampardit në karrierën me Chelsean:

Titulli i parë i Premierligës (prill 2005)

Lampardi e siguroi titullin e parë të Premierligës – dhe të parin për Chelsean pas 50 vjetësh – kur i shënoi të dy golat në fitoren e paharrueshme me rezultat 2:0 kundër Boltonit në prill të vitit 2005, në Reebok Stadium.

Ai e mbylli sezonin me 19 gola në të gjitha garat, duke e zënë një vend në librat e historisë së klubit londinez.

FIFA dhe vlerësimi për Topin e Artë (nëntor 2005)

Lampardi e mbylli sezonin 2004/05 dhe çmimin e PFA-së dhe FËA-së për Lojtarin e Vitit në Premierligë, mirëpo talenti i tij mori mirënjohje edhe në nivelin botëror, pasi që ai u radhit i dyti, pas Ronaldinhos, në votimet për Topin e Artë dhe Lojtarin e Vitit të FIFA-s. 

Lavdia në Ligën e Kampionëve (maj 2012)

Chelsea u vlerësua si skuadra më e dobët në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2012, ku u përball me Bayern Munichun në “Allianz Arena”. Skuadra e tyre ishte e gjymtuar me lëndime dhe suspendime pas gjysmëfinales kundër Barcelonës, mirëpo 33-vjeçari Lampard e drejtoi skuadrën e Chelseat drejt lavdisë në këtë garë.

Thyerja e rekordit të Tamblingut (maj 2013)

Me golin e 202-të dhe atë të 203-të për Chelsean në fitoren me rezultat 2:1 kundër Aston Villas në fund të sezonit 2012/13, Lampardi u bë golashënuesi më i mirë në histori të klubit londinez.

Kthimi si trajner (qershor 2019)

Frank Lampard, do të kthehet në Stamford Bridge për sezonin 2018/19, por këtë herë do të ulet në karrigen e trajnerit. Ish-mesfushori i “Blues” ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin, duke u bërë kështu zëvendësuesi i Maurizio Sarrit. 

(Kosova Sot Online)